Aleancat, Partizani mbetet jashtë Europës. Shkeli lejen, Sampaio “bllokohet” në Rinas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2014 | 22:57

Aleancat, Partizani mbetet jashtë Europës. Shkeli lejen, Sampaio “bllokohet” në Rinas

Lushnja-Partizani 2-0, atmosfere inkadeshente e tifozeve vendesLUSHNJA-PARTIZANI  2-4
GOLAT: Canka 52′,58′ / Nexhipi 62′(11-m), 82′(11-m), B.Krasniqi 80′, Vatnikaj 90′
LUSHNJA: Spaho, E.Sula, Byzhyti (Rr.Sulo 68′), Ruço, Ndoni, Gjyla, Trashi, Topi, Tiodoroviç, Çela (Dervishi 75′), Canka (Ikonomi 75′) (në dispozicion: Shtrepi, Xhafa, Petro, Bakiasi). Trajner: Artan Bano
PARTIZANI: A.Hoxha, B.Krasniqi, Rrahmani (Prençi 61′), Ibrahimi, Udoh, Demiri, Antanasijeviç, Hysenbelliu (Murati 46′), Ismailaj, Nexhipi, Saçer (Vatnikaj 65′) (në dispozicion: S.Hoxha, Bardhi, Drita, Mezini). Trajner: Genc Tomori
KARTONË TË VERDHË: Bizhyti 18′, Gjyla 62′, Ruço 82′
VËZHGUES: Sami Elezi (Peqin);
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
GJYQTARET: A.Beqiri, D.Rexha, G.Qirici (Tiranë)

MINUTAT
11′ Kros i Krasniqit nga e djathta, Saçer zgjatet dhe arrin të devijojë me kokë, por topi përfundon mbi traun e portës.
13′ Aksion personal i Gjylës nga e djathta e sulmit verdhejeshil, pret portieri Hoxha në fund.
16′ Trashi gjuan nga distanca, topi grushtohet nga portieri mik.
17′ Canka në hyrje të zonës godet shpejt, pret portieri i të kuqve.
30′ Antanasijeviç godet fort nga rreth 25 metra, por topi kalon mbi traun e portës lushnjare.
33′ Krasniqi kryen një gjuajtje nga larg, topi preket prej Spahos.
48′ Canka i shkëputet sërish mbrojtjes së Partizanit. Godet mbi vijën e 16 metrave, por portieri i të kuqve ndërhyn me këmbë.
52′ Top i gjatë i Byzhytit nga mbrojtja për Cankën, që starton nga gjysmëfusha lushnjare, duke e udhëhequr topin deri në zonën e të kuqve. Canka gjuan dhe shënon, 1-0 për Lushnjën.
58′ Canka godet nga rreth 30 metra, topi devijohet pak sa për të prishur ekuilibrin e Hoxhës, që dhe ka rrëshqitur. Sfera përplaset fillimisht në tokë dhe përfundon në rrjetë dhe 2-0.
62′ Ismailaj pengohet brenda zonës lushnjare nga Gjyla. Gjyqtari Beqiri jep penallti për Partizanin. Nexhipi godet nga pika e bardhë dhe shënon, 2-1 për verdhejeshilët.
64′ Partizani është shumë pranë barazimit me anë të Saçer, që godet me kokë. Spaho nuk ka reaguar, por topi përfundon jashtë.
67′ Pas krosit që vjen nga këndi, Prençi godet me kokë. Topi përplaset në traversë dhe përfundon jashtë.
69′ Nexhipi provon nga jashtë zonës me një goditje të befasishme, portieri Spaho grushton shkëlqyeshëm.
75′ Portieri Spaho bëhet sërish protagonist, teksa i merr topin te këmbët Nexhipit, i cili nuk arrin as të gjuajë.
77′ Ibrahimi me portën bosh nuk arrin ta devijojë topin në rrjetë.
80′ Pas disa rasteve të jashtëzakonshme të humbura shënon Krasniqi. Mbrojtësi i Partizanit ka fituar një duel me Spahon, që i është ngatërruar topi nëpër këmbë dhe dërgon në rrjetë, 2-2.
82′ Goditje këndi për Partizanin nga e djathta e sulmit të kuq. Pas krosit, gjyqtari Beqiri tregon pikën e bardhë, teksa dallon një rrëzim në zonë të Nexhipit nga Ruço. Edhe kësaj radhe Nexhipi tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe 3-2 për miqtë.
90′ Jurgen Vatnikaj arrin t’ia marrë topin Erion Sulës dhe përballë portierit Spaho e dërgon sferën në rrjetë, 4-2 për Partizanin.

Në javën e fundit të Kategorisë Superiore, Partizani nuk ka gabuar përballë Lushnjës duke fituar 4-2. Megjithatë, ky sukses i arritur në “Roza Haxhiu” nuk u ka vlejtur të kuqve të kryeqytetit, pasi ata sërish kanë mbetur jashtë Europës. Të gjithë golat janë shënuar në pjesën e dytë, madje “demat”, pasi janë gjendur në disavantazh 0-2, kanë përmbysur gjithçka në 28 minuta, duke fituar 4-2. Mirëpo këto tri pikë, që erdhën pas dy humbjeve të njëpasnjëshme, me Laçin dhe Skënderbeun, ishin të kota për “demat e kuq”, pasi nuk e kapën dot zonën e Europës, sepse edhe Laçi dhe Teuta fituan në transferta. Fitoret e Laçit dhe të Teutës i vranë “demat”, në ëndrrën e tyre të Europës. Pa dyshim pikëlluese për dështimin sezonal të Partizanit mbetet humbja e fundit me Skënderbeun, kur më 4 maj të kuqtë u mundën 2-1 në “Qemal Stafa”. Madje, edhe një barazim ndaj korçarëve do t’i mbante me shpresë të kuqtë deri më 17 maj, nga ku do të luteshin për një “dhuratë” nga Kukësi. Pra, Partizani mbetet jashtë përfaqësimit europian për mungesë të një pike, ndërsa lushnjarët dje kishin përfaqësimin e fundit në Superiore, kështu që nga ky takim të besuarit e trajnerit Bano nuk prisnin asgjë, ndaj ishte thjesht respektim i kalendarit.
Pjesa e parë Takimi ka nisur në një ritëm mesatar, thuajse në ekuilibër të plotë. Partizani prezantohej në “Roza Haxhiu” me ndryshime të shumta në formacion, ku mungesat ishin të shumta si: Hyshmeri, Memelli, Musta, Mazrekaj, Dunkoviç. Në këtë përballje të kuqtë drejtoheshin nga trajneri Genc Tomori, i cili mori drejtimin pas largimit të Marcio Sampaios. Nga ana tjetër, edhe lushnjarët nuk ishin të plotë, pasi mungonte Bjelkanoviç dhe Fonseka. Takimi nis i qetë dhe pas 10 minutave të para vijnë edhe rastet, ku dallon një traversë e Krasniqit dhe rrezikshmëria e verdhejeshilëve vjen me Cankën. Të kuqtë ishin më kërkues, sepse me çdo kusht duhet të merrnin trepikëshin. Miqtë krijuan volum, por u mungoi finalizimi. Paraqitje të mirë në këtë takim bëri edhe mesfushori Fatmir Hysenbelliu, që ishte titullar, si dhe i riu Ismailaj, që debutoi me ekipin e parë në Lushnjë. 45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë Nëse pjesa e parë kishte pak histori, ndryshe ndodh pas pushimit. Lushnja e ka nisur me gol dhe është Canka, që në minutën e 52-të zhbllokon rezultatin. Pak minuta pas avantazhit të vendësve, Partizani pëson edhe golin e dytë. Canka dyfishon edhe për “meritë” të Hoxhës, i cili gënjehet nga devijimi i topit. Lushnja është në një moment të mirë dhe rezultati i përgjigjet lojës. Mirëpo, dominimi i lushnjarëve nuk ka zgjatur shumë, madje duhet thënë se gati përfundon me rezultatin 2-0. “Demat” marrin drejtimin dhe kthesa vjen shpejt. Skuadra e Tomorit arrin ta rihapë ndeshjen me Nexhipin, i cili e shndërron në gol një penallti të dhënë nga kryesori Beqiri. Të kuqtë edhe vuajnë në dominimin e tyre. Ka një gol të anuluar, një tjetër traversë, shumë raste të humbura deri në absurditet, por në fund vjen barazimi me Krasniqin. Pa e marrë mirë veten nga barazimi, Partizani nuk i lë kohë Lushnjës dhe i jep goditjen përfundimtare sërish me Nexhipin dhe me një tjetër penallti. “Furia” e kuqe nuk ndalet, derisa në fund Vatnikaj i futur në pjesën e dytë shënon dhe golin e katërt. Partizani fiton, por dëshpërimi i të kuqve dhe zemërimi i tyre dukej qartë pas marrjes së lajmit të fitoreve të rivalëve të tyre.

ARTAN BANO
“U ndëshkuam nga gjendja psikologjike”
Artan Bano, trajneri i Lushnjës, në prononcimin për “Panorama Sport” e vlerëson pjesërisht pozitive paraqitjen e verdhejeshilëve në ndeshjen e djeshme me Partizanin, duke cilësuar disa faktorë që sollën humbjen në fund të takimit. “Kemi bërë një pjesë të parë të barabartë, ku edhe ne njësoj si kundërshtari kemi pasur episodet tona për gol. Pas pushimit mendoj se Lushnja ka bërë një lojë më të mirë, ku si pasojë e kundërsulmit shënuam dy herë. Kam mendimin se ndëshkimi me dy penallti dhe goli i katërt që mund të ishte dhënë faull qe shumë për ne. Unë e kam thënë edhe herë të tjera që gjendja jo e mirë psikologjike e skuadrës pas rënies nga kategoria ndikon në rezultat, çka u pa sot në pjesën përmbyllëse të ndeshjes. Ekipi është edhe i lodhur, normal që lodhja mendore sjell dhe lodhje fizike. Nuk patëm atë freskinë e fillimit të pjesës së dytë dhe lamë shumë terren. Kundërshtari kishte një motivacion më të madh dhe kjo ishte ndoshta faktori kryesor. Gjithsesi, ne e përfunduam këtë kampionat dhe tashmë do të përgatitemi për sezonin e ri. I kam komunikuar skuadrës një javë pushim dhe ditën e hënë, më datë 19 maj, ne do të dalim në stërvitje”, – u shpreh Bano.

GENC TOMORI
“Partizani, jashtë Europës prej aleancave”
Genc Tomori ka debutuar me fitore në krye të “demave të kuq”, pasi të besuarit e tij dje kanë mposhtur 4-2 Lushnjën. Të besuarit e Tomorit fituan, por Partizani nuk arriti ta realizonte objektivin përfundimtar. Trajneri i të kuqve të kryeqytetit deklaroi në konferencën e djeshme për shtyp se Partizani nuk e kapi Europën si pasojë e aleancave që u shfaqën dukshëm në javët përmbyllëse të kampionatit. “Luajtëm përballë një kundërshtari që kishte tre muaj që kishte dalë nga objektivi. Normal që ne bëmë detyrën tonë, duke e fituar takimin. Një fitore e arritur në pjesën e dytë me shumë raste të humbura dhe në fund shënuam katër gola. Fituam, por nuk e arritëm objektivin Europë dhe ky është një dështim për Partizanin. Në trekatër javët e fundit nuk u zhvillua kampionat dhe u rrëzuam si pasojë e aleancave. Ne luajtëm me një kundërshtar pa objektiv dhe fituam. Ishim të vetëm në luftën për zonën e Europës, pa aleanca, ndërsa rivalët që kishin aleanca e arritën synimin e tyre në kurrizin e Partizanit”, – u shpreh trajneri Tomori pas ndeshjes së djeshme, ku të kuqtë fituan 4-2 në Lushnjë.

Mikel Canka
“Golat ndaj të kuqve ia dedikoj vëllait”
Mikel Canka është golashënuesi më i mirë i Lushnjës me 8 gola, pasi dje shënoi dopietën e parë në Superiore. Sulmuesi lushnjar ishte më i miri për verdhejeshilët dje, teksa realizoi një dygolësh, por edhe me disa goditje të mira që kërkuan ndërhyrjet e Hoxhës. Canka shfrytëzoi mirë pasimet e mesfushës dhe lëvizi rrjedhshëm në hyrje të zonës kundërshtare. Sulmuesi ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e tij ndaj të kuqve, ndërsa dy golat e shënuar dje ndaj Partizanit ia dedikoi vëllait të tij, që kishte ditëlindjen. “Jam shumë i kënaqur me golat, që ia dedikoj vëllait tim Soni, në ditëlindjen e tij të 31-të”, – u shpreh Mikel Canka për “Panorama Sport” pas ndeshjes së djeshme.
ALBAN ALUSHI

Vllaznia-Partizani 0-1, lojtaret e kuq festojne me tifozetPresion total mbi tifozët e kuq për të mos shkuar në Lushnjë
Tifozët e Partizanit kanë qenë të pranishëm në çdo stadium ku ka luajtur. Grupi “Ultras Guerrils”, që nga themelimi i tij në 2008-ën e ka ndjekur Partizanin në çdo skaj të Shqipërisë, pavarësisht faktit se në cilën kategori militonte. Por, para ndeshjes së fundit me Lushnjën ndaj ultrasve të kuq është ushtruar një presion i gjithanshëm, në mënyrë që ata të mos ishin prezent në Lushnjë. Në dallim nga herët e tjera, për këtë sfidë nuk pati organizim, pasi edhe klubi në një farë mënyre ushtroi trysni ndaj mbështetësve të tij që të mos ishin prezent në “Roza Haxhiu”, pasi organizatorët kërkonin që ndeshja të shkonte pa probleme. Mësohet se për ta përmbushur këtë mision kanë vepruar edhe forcat e rendit, që kanë dhënë urdhër që asnjë autobus të mos niset drejt Lushnjës me tifozë të Partizanit, pasi ata kërkuan të vetorganizoheshin për këtë transfertë. Përpos ndërhyrjeve të shumta, një grup i vogël tifozësh të Partizanit me mundësitë personale kanë udhëtuar drejt Lushnjës për të ndjekur Partizanin. Ndonëse kanë fituar dje në “Roza Haxhiu”, të kuqtë kanë mbetur jashtë Europës. Tifozët e Partizanit, pas përfundimit të ndeshjeve të javës së fundit, kanë falënderuar tifozërinë shkodrane që nuk e pranoi teatrin që u servir nga ekipi i tyre në ndeshjen me Teutën. Për ultrasit e kuq, tifozëria e Vllaznisë meriton respektin e tyre maksimal. Për herë të parë në këto vite nuk ka pasur problematikë me tifozët lushnjarë.

Marcio SampaioShkeli lejen, Sampaio bllokohet në Rinas
Ish-trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio, dje është larguar përfundimisht nga Shqipëria duke iu drejtuar vendlindjes, Portugalisë. Para një jave, të kuqtë u mundën 2-1 nga Skënderbeu dhe me këtë disfatë Partizani vulosi dështimin e objektivit sezonal. Për këtë arsye, portugezi dha dorëheqjen si trajner i kryeqytetasve. Sampaio është larguar dje drejt vendlindjes dhe ish-trajneri dukej i qeshur, përpos faktit se skuadra çoi dëm mundin e një sezoni të tërë. Mësohet se largimi i Marcio Sampaio nuk ka shkuar si duhet, pasi për disa kohë ai është mbajtur i “bllokuar” nga autoritetet e imigracionit në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Shkak për këtë është bërë shkelja e afateve kohore të portugezit në Shqipëri. Bëhet me dije se prej një muaji Sampaios i kishte skaduar leja e punës dhe e qëndrimit në Shqipëri. Pas sqarimit të situatës, mësohet se ish-trajneri i të kuqve është lënë i lirë dhe më pas ka vijuar udhëtimin drejt Portugalisë. Në momentin kur Sampaio është paraqitur në Shqipëri ka pasur një leje punë tremujore, që i bie t’i ketë përfunduar që më 10 prill. Mbase për neglizhencë, portugezi dhe vetë klubi kanë harruar ta rinovojnë lejen e punës dhe qëndrimin në Shqipëri, gjë e cila ka shërbyer si pretekst që Sampaio dje të ndalohej për disa momente nga autoritetet përkatëse në aeroportin e Rinasit. 35- vjeçari u prezantua te Partizani më 10 janar si përgatitës atletik dhe me njëherë nisi punën me ekipin në Antalia, ku të kuqtë kryen një minifazë dyjavore përgatitore. Më 10 shkurt, Sampaios i besohet drejtimi i Partizanit, por detyrën e trajnerit portugezi nuk e çoi deri në fund, pasi më 4 maj jep dorëheqjen. Dje ish-trajneri është larguar nga Shqipëria me një bluzë të Partizanit në sup dhe në profilin e tij në “Facebook” shkruante: “Shihemi së shpejti! Faleminderit për gjithçka. Forca Partizani!”. Mbetet për të parë se çfarë lë të nënkuptojë portugezi me shprehjen: Shihemi së shpejti. Me shumë gjasa Sampaio do të bëjë rolin e menaxherit dhe ndërmjetësit në merkaton verore të Partizanit, duke i afruar klubit disa lojtarë. Nuk përjashtohet mundësia që portugezi të rikthehet te “demat” në rolin që u prezantua fillimisht, atë të përgatitësit atletik.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"