Aleanca me Tiranën, reagon Gjici: Kukësi im është i pastër si bora

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2017 | 9:51

Aleanca me Tiranën, reagon Gjici: Kukësi im është i pastër si bora

“Ata që dyshojnë, do ta shohin të mërkurën për Kupë kundër Tiranës. Unë siguroj gjithë tifozët se do të shohin një Kukës që do të luftojë deri në fund”. Kështu u shpreh Safet Gjici para ndeshjes së kthimit me bardheblutë, por dje Kukësi i tij u eliminua. Gjithsesi, presidenti i klubit verilindor këmbëngul se nuk ka bërë asnjë aleancë me Tiranën. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Gjici e cilësoi Kukësin të pastër si bora, ndërsa është i bindur se do të shpallet kampion.

Z. Gjici, ashtu siç edhe pritej, Kukësi u eliminua, edhe pse ju ishit nga ata që besonit te kualifikimi…

Më vjen keq që u eliminuam, por mendoj se sot (dje) ndaj Tiranës ndikuan mungesat, veçanërisht të sulmuesve Pejiç dhe Emini, që dinë të shënojnë në ndeshje të tilla. Gjithsesi, u bë një ndeshje e fortë dhe rastet i patëm, por nuk arritëm të shënonim. Nëse do ta bënim një gjë të tillë, isha i bindur që do të kualifikoheshim. Edhe ato goditje që u bënë, portieri i priti dhe nuk ia dolëm të zhbllokonim rezultatin.

OK, por si ka mundësi që në një ndeshje ku synonit fitoren u lanë jashtë tetë titullarë?

Nëse keni dyshime edhe për lojtarët e dëmtuar, mund të shkoni t’i verifikoni. Unë di të them që kanë qenë të gjithë me probleme fizike.

Në fundin e takimit, tifozët kanë kontestuar ekipin, pasi u zhgënjyen me sjelljen e skuadrës kundër Tiranës. Cili është reagimi juaj?

Tifozët këtë punë kanë, por kanë të drejtë që janë të pakënaqur, pasi Kukësi i ka mësuar përherë me finale në Kupën e Shqipërisë. Këtë herë nuk ishte e thënë që të shkonim deri në fund, kjo është e gjitha.

Nga një Kukës që nuk është përfolur për tolerime, te ky i sotmi që është vënë në epiqendër të kritikave për një aleancë me Tiranën. Keni një përgjigje për këtë situatë?

Ju them me bindje që nuk ka qenë tolerim. S’kam asnjë arsye pse të bëj aleancë me Tiranën. Kukësi është larg trukimeve dhe këtë ju e dini shumë mirë. Pyesni në UEFA dhe nëse ka diçka për klubin tim, atëherë unë iki përgjithmonë. Kukësi është i pastër si bora. Ndeshja me Tiranën u zmadhua shumë prej gazetës suaj dhe më vjen keq për këtë.

Gazeta ka raportuar për lexuesin atë që ka parë në fushë në ndeshjen e kampionatit, Tirana-Kukësi 1-2…

E përsëris, nuk ka pasur asnjë tolerim ndaj Tiranës. Madje, i them Jetmirit (i referohet kryeredaktorit të gazetës) që një faqe të parë të “Panorama Sport”, të cilën e kam bërë kornizë te zyra e stadiumit, nuk do ta heq kurrë sepse aty është pasqyruar një realitet për Kukësin europian që bëri historinë e futbollit shqiptar.

Ju thoni që Kukësi s’ka toleruar, por nga informacionet që kemi, jo të gjithë lojtarët që munguan kanë pasur probleme. Si shpjegohet që një pjesë e tyre nuk u grumbulluan fare?

Nëse unë kam disa lojtarë me probleme fizike dhe normalisht më intereson që t’i kem të gatshëm në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Laçit, kjo nuk do të thotë se kam toleruar me Tiranën. Synimi ynë parësor është të fitojmë titullin kampion, pastaj Kupa. Stafi teknik ka menduar se me ata lojtarë që mund të luanin edhe në Kupë, ishte mirë që të ruheshin për kampionatin, pasi vijnë nga dëmtime dhe për më tepër kemi një takim shumë delikat përpara.

Duke pasur një ndeshje të rëndësishme në transfertë dhe shumë të fortë me Laçin, sigurisht që stafi mendoi të luante me të tjerë futbollistë në Kupë, sepse ne e kemi kontingjentin. Loja u bë e mirë nga të dy krahët, nuk ishte e thënë të shënonim dhe më vjen keq, por ky është futbolli. Ata kishin dy rezultate në favor, ndërsa neve na duhej vetëm fitorja.

Besoni se Kukësi e ka “autostradë” vazhdimësinë në kampionat, apo ka diçka që i trembeni?

Nuk kam frikë askënd për vazhdimësinë e garës. Ta marrin vesh të gjithë, Kukësi do të dalë kampion këtë sezon. Kemi skuadrën më të mirë dhe më të fortë të kampionatit. U bënë 21 javë që nuk humbasim dhe e meritojmë të jemi kampionë. Pastaj, nëse të tjerëve u vjen keq pse ne jemi të parët, nuk është problemi ynë. Të bëjnë çfarë të duan. Kukësi nuk ka toleruar kurrë dhe sa të kem unë klubin, nuk ka shanse ta bëjë një gjë të tillë. Këtë herë u eliminuam nga Kupa dhe pranuam verdiktet, por titulli do të jetë i yni. Inat më vjen sa të duash që nuk u kualifikova, por çfarë të bëj: të vras lojtarët?! Po të kualifikohesha, do ta fitoja edhe Kupën, jo vetëm kampionatin.

Në garën me Skënderbeun dhe Partizanin, kush ju bezdis më shumë?

Nuk i druhem as Partizanit dhe as Skënderbeut, por vetëm ekipit tim. Thjesht lojtarët e mi duhet të mobilizohen dhe ata që janë të dëmtuar të kthehen sa më shpejt dhe të sakrifikojnë në Laç. Nëse skuadra ime ruan gjendjen që ka treguar deri më tani, jam i bindur se do të marrim titullin. Fusha do ta tregojë në fund se kush është Kukësi. Natyrisht rruga mbetet e gjatë dhe gara është shumë e fortë. Unë nuk paragjykoj asnjë ekip që mund të bëjë aleanca, shikoj ekipin tim dhe besoj te suksesi. Kush mendon që Kukësi bën aleanca, e ka shumë gabim dhe e bën vetëm se jemi shkëputur 6 pikë. Por kur të shkojmë +9 pikë, çfarë do të thonë?!

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"