Alcani: Ja si i kalon Partizani norvegjezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2015 | 11:17

Alcani: Ja si i kalon Partizani norvegjezët

Alcani

Partizani fitoren e fundit në Ligën e Europës e ka arritur më 15 korrik 2004 ku në ndeshjen e parë mundën 4-2 maltezët e Birkirkarës. Në ndeshjen e dytë, të kuqtë u mundën 2-1, por u kualifikuan.

Një nga protagonistët e kësaj ndeshjeje është edhe Alert Alcani, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” tregon se si Partizani mund ta përsërisë atë sukses edhe ndaj Stromsgodset. Ish-kapiteni ka besim te zgjuarsia dhe strategjia e trajnerit Starova që e shikon si ekspert të ndeshjeve të tilla. Alcani ka dhënë edhe recetën e tij për debatin Nexhipi-Starova, ku ai është në kahun e trajnerit.

Ai pohon se ka ikur koha kur vendosnin lojtarët në ekip.

Alert, Partizani rikthehet në Europë pas 7 viteve. Si e shikoni përballjen e 2 korrikut me Strosmgodset?

Rikthimi i Partizanit në Europë është një lajm i mirë jo vetëm për klubin, por edhe për vetë futbollin shqiptar. Nuk e kam parë skuadrën gjatë kësaj periudhe, por di që kanë bërë disa afrime cilësore. Kundërshtari nuk është i lehtë, por as nuk duhet pasur frikë. Ata janë në aktivitet dhe janë ekip shtatlartë. Kam besim se Partizani do dijë që ta zgjidhë me sukses.

Nga skuadra janë larguar dy nga pikat kryesore në mbrojtje, Rrahmani dhe Cuculi. Mendoni se largimi i tyre mund të lërë pasoja?

Pjesën më të madhe të karrierës kam luajtur në pozicionin e tyre dhe mund të them se ata kanë qenë shtyllat e mbrojtjes së Partizanit në edicionin e fundit. Por, me afrimin e Bicajt, mendoj se është mbushur gropa në qendër. Kam besim se Partizani do të vijë duke e përmirësuar akoma më shumë organikën dhe largimet nuk do të ndihen fare.

 Sipas jush, si mund të rezultojë i suksesshëm Partizani, ose çfarë duhet të bëjë ekipi i Starovës?

Që Partizani ta kalojë me sukses këtë tur, duhet që ekipi të tregojë forcë, karakter dhe të besojë deri në fund te kualifikimi. Partizani e ka treguar këtë gjë në të shkuarën. Nëse lojtarët do të jenë të bashkuar dhe të disiplinuar në taktikën e përzgjedhur nga trajneri, çdo gjë kalohet me sukses. Partizani po jep sinjale përmirësimi, pasi situata ka ndryshuar shumë në krahasim me një vit më parë. Po u afruan edhe 2-3 elementë të tjerë cilësorë, sezonin tjetër janë për Champions.

 A duhet pasur frikë apo kujdes ndaj një kundërshtari pak të njohur?

Fjala frikë nuk duhet të ekzistojë fare te Partizani. Pa dyshim duhet kujdes në fazën mbrojtëse, pasi kanë të bëjnë me lojtarë shtatlartë dhe që janë në mesin e sezonit në Norvegji. Në ndeshje të tilla, përveç lojtarëve që luajnë, rol të veçantë ka trajneri, që duhet të ndërtojë një strategji fituese. Në këtë mes nuk ia kam merakun Starovës, pasi ka treguar se është strateg, sidomos në transfertë.

Kush mendoni se mund ta zgjidhë sfidën e parë që luhet në Norvegji?

Pa u hequr meritat lojtarëve që janë në fushë, për mua në ndeshje të tilla përcaktues mbetet trajneri. Kam besim se “Bobi” do të jetë personi që do ta zgjidhë ndeshjen e parë të Partizanit në transfertë.

Meqë keni besim në kualifikimin e “demave”, ku e shikoni se do të arrihet, nesër apo pas një jave?

Ndeshja e parë ka shumë rëndësi për objektivin në këtë tur. Prandaj shpresoj që ata të marrin një rezultat pozitiv në Norvegji, ku do të pajtohesha edhe me barazimin, ose një humbje minimale. Mendoj se Partizani është favorit në këtë tur, pasi sfidën e parë e luan jashtë, ndërsa në kryeqytet me ndihmën e tifozëve të zjarrtë dhe një strategji agresive mund të realizojnë kualifikimin. Që kjo gjë të bëhet realitet, duhet që nesër të shikohet një Partizan i kujdesshëm, me karakter të fortë, si dhe të konkretizojnë zgjuarsinë e trajnerit Starova.

Alert, ju folët për unitet të grupit. Si ish-kapiten, si e shikoni përplasjen aktuale mes trajnerit Starova dhe kapitenit Nexhipi?

Në këtë rast, jam në kahun e trajnerit Starova, pasi askund në botë nuk ndodh që lojtari të vërë kushte. Lojtarëve u del për detyrë të zbatojnë urdhrat e trajnerit, pasi mendoj se edhe në Shqipëri ka ikur ai mentaliteti ku lojtarët me emër diktonin në klub. Pastaj shiriti i kapitenit ka qenë problematik në sezonet e fundit te Partizani, gjë të cilën e kam vuajtur edhe vetë. Pra të qenit kapiten nuk është se të sjell fat të madh apo privilegj te Partizani. Në raste të tilla jam me trajnerin dhe shpresoj që gjithçka të menaxhohet në të mirë të klubit. Keni shënuar gol me

Partizanin në Europë ndaj Birkirkarës në 15 korrik 2004, ku skuadra arriti të kalojë edhe turin e parë. Si e keni përjetuar ju atë moment?

Në karrierën time, nuk jam shquar për shënimin e golave, por ai gol mbetet i paharruar për mua. Ishte një gol i veçantë, pasi e shënova në një ndeshje ndërkombëtare dhe në fund arritëm ta kalojmë me sukses përballjen me maltezët. Kështu që edhe lojtarët aktualë të Partizanit duhet t’i vlerësojnë maksimalisht këto takime, pasi mund të lënë gjurmë në klub, por do t’ju vlejë edhe për karrierën e tyre.

Më mirë lojtar i Partizanit në atë periudhë, apo tani?

Personalisht, jam nostalgjik i asaj periudhe, kryesisht viteve 2003-2004. Futbolli ishte më i fortë dhe konkurrenca ishte më e lartë, jo vetëm për të fituar trofe, por edhe për të marrë pjesë në Europë. Aktualisht, beteja është përqendruar në 2-3 duar dhe ka më shumë “filma”, ma le ta lë apo edhe shumë gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me lojën. Gjithsesi, sezoni i fundit ka qenë për t’u përgëzuar. Dorian Bylykbashi është i vetmi lojtar në radhët e Partizanit që ka qenë pjesë e atij kualifikimi të “demave” në 2004-ën.

Besoni se prania e tij është e vlefshme edhe tani për ekipin?

Ndonëse mosha ka bërë të vetën, Bylykbashi gjithnjë mbetet një lojtar me klas të veçantë. Kur Dori përkëdhel topin, dihet se trajektorja e tij ka përfundim të saktë. Kështu që Bylykbashi mbetet gjithnjë i nevojshëm për ekipin, ndonëse sezonin e fundit trajneri Duro nuk i dha hapësirën e duhur. Dori gjithnjë ka qenë elektron i lirë në ekip, duke luajtur kudo, gjë e cila mund të praktikohet edhe tani.

Trajneri Starova e ka bërë të qartë që nuk i pëlqen elektronët e lirë, por lojtarë që vrapojnë dhe nuk ndalin dinamikën e aksioneve…

Në futboll, rolet janë të ndara. Nuk mundet që një sulmues të vijë të bëjë edhe mbrojtësin dhe më pas t’i kërkosh të shkojë të shënojë. Prandaj, kam qenë edhe kundër Shpëtim Duros në sezonin e fundit, që kërkonte nga Mazrekaj të bënte sulmuesin edhe mbrojtësin e majtë. Nëse mbrojtësit bëjnë mirë detyrat e tyre, nuk ka pse të mos kesh në fushë edhe elementë me fantazi, që me përkëdheljet që i bëjnë topit të zgjidhin ndeshjet. Gjithsesi, ato janë zgjedhje të trajnerit dhe në fund është ai që mban përgjegjësinë kryesore.

Intervistoi: Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"