Albpetroli kryeson bindshëm, strategu Miho tregon “sekretet” dhe ia kalon presionin Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 13:59

Albpetroli kryeson bindshëm, strategu Miho tregon “sekretet” dhe ia kalon presionin Tomorit

Albpetroli po zhvillon një kampionat mbresëlënës, po bën diferencën në Grupin B. Është e vetmja skuadër me pikë të plota në 7 ndeshje dhe ka 5 pikë më shumë se vendi i dytë. 

Miho

Patosarakët kanë dëshmuar se janë pretendentët kryesorë për Kategorinë e Parë dhe meritën kryesore e ka trajneri Marjol Miho, i cili u kthye për të vijuar projektin e lënë në mes. Trajneri 36- vjeçar Marjol Miho ka dhënë këtë intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”:

Miho, 7 fitore në po kaq javë dhe 5 pikë avantazh nga vendi i dytë. E kishit menduar një fillim të tillë? 

Puna që bëjmë na motivon për të qenë të përkushtuar për të ecur përpara. Gjithçka e kemi arritur me përgatitje serioze dhe punë. Nuk e kishim menduar se do të kishim një diferencë të tillë me rivalët në kaq pak javë. Kemi punuar për çdo ndeshje si të ishte një finale dhe rezultatet tregojnë se kemi ecur mirë.

 Ka një “sekret” kjo mbarëvajtje e skuadrës suaj? 

(Qesh). Asnjë sekret për t’u fshehur. Janë ato që thashë më lart, puna, përkushtimi dhe dëshira që kanë këta djem të ecin përpara profesionalisht. Kampionati fillon gjithmonë me ndeshjen e radhës.

Si ju duket në tërësi gara në Kategorinë e Dytë? 

Ka problematikë të njohur, ashpërsi dhe lojë “fair-play”, rivalitet dhe presion, garë të ndershme dhe dhunë. I ka të gjitha brenda kjo kategori. Ka fusha shumë të vështira, ku gati është e pamundur të marrësh atë që meriton për shkak të ashpërsisë. Dua të theksoj se këtë vit është diçka më ndryshe, sepse duke bërë shembuj me dënimet ndaj dhunës, edhe kjo kategori merr formën e duhur për futboll të ndershëm.

Miho

Një koment për numrin e lojtarëve jashtë qarkut për këtë kategori?

Jam kundër aktivizimit të lojtarëve të huaj në këtë kategori. Për limitimin e lojtarëve jashtë qarkut mendoj se duhet korrigjuar. Nuk mund t’u heqësh mundësinë futbollistëve që duan të aktivizohen në skuadra të kësaj kategorie, kur nuk gjejnë hapësira në kategori të tjera. Heqja e këtij kufizimi mendoj se rrit cilësinë në Kategorinë e Dytë.

Cilin ekip do të veçonit si rivalin tuaj kryesor?

Pa hezituar aspak, Tomorin, sepse e kam stërvitur vetë (qesh). E di që kryebashkiaku i Beratit është shumë i dhënë pas futbollit, ata kanë edhe një trajner me shumë përvojë, Kristaq Milen. Mbeten një ekip kompetitiv dhe rival i fortë.

Në fundjavë do të jetë një sfidë e ndezur në “Alush Noga” pikërisht me këtë rival. Si e parashikoni këtë përballje?

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, le ta quajmë “finale” mes dy rivalëve të denjë. Jemi shumë të qetë dhe po e përgatisim me kujdes ndeshjen. Presioni nuk është në anën tonë, përkundrazi. E respektojmë në maksimum Tomorin, por respektojmë më shumë punën tonë. Kemi një grup të gërshetuar mes lojtarëve të përvojës dhe të rinjve të talentuar. Me Tomorin do të kërkojmë fitoren e radhës.

AMARILDO GROPA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"