Albion Marku te Teuta, si iu iku nga duart të kuqve të Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2022 | 21:41

Albion Marku te Teuta, si iu iku nga duart të kuqve të Partizanit

Pritej te zyrtarizohej te Partizani, por në fund është Teuta që e “rrëmben” dhe arrin marrëveshjen me Dinamon për ta huazuar një sezon. Albion Marku është zyrtarisht futbollist i durrsakëve, teksa dje ka zhvilluar seancën e parë stërvitore nën urdhrat e trajnerit Renato Arapi. Nga mbrëmja e së dielës, kur lojtari është parë në hotelin e Partizanit dhe deri në pasditen e së hënës, kur erdhi në Durrës, situata ndryshoi 360 gradë.

MARKU ALBION

“Panorama Sport” zbulon se pas bisedimeve intensive mes drejtuesve të kuq dhe atyre të Dinamos, nuk u arrit një konsensus për formulën e transferimit, pasi kushti i “demave” ishte të kishin pronësi të plotë për Markun, duke mos pranuar sërish një huazim. Vetë lojtari ishte dakord që të vijonte karrierën me të kuqtë, pasi klubi kryeqytetas ia kishte plotësuar kërkesat, por në fund ishte Dinamo që vendoste.

Kësisoj, duke qenë se blutë kanë investuar për Markun, duke arritur marrëveshjen me Lokomotivën e Zagrebit, që ka pasur nën kontratë lojtarin, kërkonin një shifër që ndoshta nuk përballohej nga të kuqtë. Në këtë mënyrë, në pak orë u arrit një marrëveshje me klubin e Teutës. Drejtuesit e Dinamos dhe durrsakëve gjetën akordin jo vetëm për Albion Markun, por edhe për mesfushorin e talentuar, Devid Fejzulla.

“KF Teuta njofton se futbollistët Albion Marku dhe Devid Fejzulla do të jenë pjesë e klubit të Teutës deri në fund të sezonit. Klubi ynë ka arritur marrëveshjen me klubin e FK Dinamo për huazimin e dy futbollistëve. Të dy i janë bashkuar skuadrës në seancën e radhës stërvitore që u zhvillua në Durrës. KF Teuta u uron mirëseardhje lojtarëve dhe shumë suksese me fanellën e klubit tonë”, citohej ndër të tjera në njoftimin e klubit durrsak. Afrimi i Markut blindon krahun e djathtë të mbrojtjes së Teutës, aty ku luan që nga sezoni i kaluar edhe vlonjati Hektor Idrizaj.

Nga ana tjetër, Fejzulla u shton fantazinë në mesfushë “djemve të detit”. Dje, përveç mbrojtësit Artan Jazxhi, që është i dëmtuar, pjesa tjetër e ekipit ka qenë e plotë në stërvitje. Sot grupit do t’i bashkohet edhe mbrojtësi i majtë Aleksandër Kuros. Trajneri Arapi është shumë i qetë tashmë për mbrojtjen, pasi ka kompletuar më në fund këtë repart para sfidës derbi me Erzenin, që do të zhvillohet të shtunën në stadiumin e Durrësit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"