Albi Alla krijon çështje kontratash te Kukësi, kampionët rrezikojnë disa lojtarë para Champions-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2017 | 10:35

Albi Alla krijon çështje kontratash te Kukësi, kampionët rrezikojnë disa lojtarë para Champions-it

Te Kukësi plas një “çështje kontratash”. Në prag të hedhjes së shortit ku kampionët e Shqipërisë do të mësojnë kundërshtarin për turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, një çështje e panjohur më parë ka nisur të pështjellojë ambientin te verilindorët. Gjithçka ka marrë shkas nga mbrojtësi Albi Alla dhe tashmë rrezikon që të kthehet në një temë shumë të diskutueshme në ambientin e kuksianëve.

Kukesi foto

ÇËSHTJA E KONTRATAVE

Albi Alla është kthyer tashmë në “çështje” te Kukësi, pasi mbrojtësi 24-vjeçar nuk ka preferuar të kthehet më te skuadra për të luajtur ndeshjet në Ligën e Kampioneve. Ky veprim sipas tij është i bazuar te kontrata. Mbrojtësi u ka thënë drejtuesve të klubit se nuk do kthehet më në ekip, pasi i ka skaduar kontrata.

Por kampionët pretendojnë të kundërtën që Alla ka kontratë deri në përfundim të Kupave të Europës dhe për këtë arsye i kanë dhënë ultimatum që të kthehet në ekip, pasi çdo ditë që kalon më keq është për mbrojtësin. Deri tani, gjoba që klubi ka aplikuar është një rrogë mujore, por nëse mbrojtësi nuk do kthehet fare, Kukësi do kërkojë dëmshpërblim deri në 300 mijë euro.

Alla Kukesi

Ndërsa, burime të sigurta pranë lojtarit kanë theksuar se avokati i tij po merret me këtë çështje dhe se sipas tyre shtesa e kontratës për të luajtur në Europë është jo e ligjshme, pasi nuk njihet nga FIFA. Nëse një lojtar firmos për një sezon futbollistik, atëherë kontrata është e vlefshme vetëm për kampionatin, jo për zgjatje të tjera.

Për këtë arsye, ky interpretim ka vënë në dyshim edhe disa lojtarë të tjerë në ekip, të cilët mësohet se kanë kontaktuar me menaxherët e tyre për të sqaruar këtë çështje. Një situatë që duket se mund të krijojë jo pak probleme te kampionët që kanë nisur tashmë përgatitjet për pjesëmarrjen e tyre për herë të parë në Ligën e Kampioneve.

BRAZILIANI

Kukësi merr masa të menjëhershme për pozicionin vakant të qendërmbrojtësit, pavarësisht se klubi i ka dhënë ultimatum Allës që të rikthehet. Gazeta mëson ekskluzivisht se verilindorët kanë kontaktuar ish-mbrojtësin e tyre, Juliano Andre Pereira Da Silva dhe palët kanë rënë dakord që 30-vjeçari të rikthehet te kampionët.

Juliano2-374x547

Juliano erdhi te Kukësi në kuadër të përforcimeve me grupin e brazilianëve që verilindorët bënë në verën e vitit 2015, por që vetëm mbas 6 muajve u largua nga Kukësi. Nuk ishte një eksperiencë nga më të mirat për vetë qendërmbrojtësin, por kjo nuk do të thotë që drejtuesit e Kukësit të mos i besojnë sërish. Braziliani është thirrur t’i bashkohet Kukësit e përgjigjja e tij dhe e menaxherëve ka qenë pozitive. Pritet që shumë shpejt Juliano t’i bashkohet Kukësit.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"