Albano Aleksi: Jemi pretendentë për titullin, Tirana dhe Kukësi rivalët kryesorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2020 | 23:37

Albano Aleksi: Jemi pretendentë për titullin, Tirana dhe Kukësi rivalët kryesorë

“Fillimi i mirë është gjysma e punës”. Një shprehje e urtë popullore, të cilën mesfushori i Teutës, Albano Aleksi e di shumë mirë se çfarë do të thotë. Triumfi në Kupë dhe Superkupë ndaj Tiranës është diçka e kaluar dhe projektorët e bluve kthehen nga starti i kampionatit ku përballë do të ketë Skënderbeun. Aleksi kërkon që skuadra të përkushtohet dhe përqendrohet tek 90-minutëshi i kampionatit, pasi në lojë janë 3 pikë shumë të rëndësishme.

albano aleksi

Si ka shkuar faza përgatitore dhe a jeni gati për përballjen me Skënderbeun që mund të nisë këtë javë?

Mendoj se pas fazës përgatitore jemi mirë. Ishte e rëndësishme të mos kishim dëmtime dhe mund të them që është ora e së vërtetës. Mendoj se jemi gati. Kjo është Teuta që kemi menduar, për meritë edhe të klubit, pasi mundësoi afrime cilësore. Ndeshja e parë do të jetë e vështirë, duke qenë se Skënderbeu është një ekip i ri, por besoj me eksperiencë do ta kalojmë. Jemi interesuar për kundërshtarin pasi si njohim lojtarët, por do bëjmë lojën tonë dhe me pak fat mund t’ia dalim me sukses.

Pritshmëritë ndaj Teutës këtë edicion janë të mëdha, pasi janë afruar në skuadër lojtarë që kanë fituar dhe e njohin mirë kampionatin a ka presion?

Ka presion për të gjithë dhe kjo është normale, duhet të mësohemi me këtë fakt, por e rëndësishme është që ekipi të mos mbingarkohet. E mira është të nisim kampionatin me fitore dhe do ta provojmë këtë. Shpresojmë të na buzëqeshë ne fati. Në fillim kur erdha këtu kishim objektiva, thjesht Europën dhe të ndërtonim një skuadër të mirë, me idenë për të rikthyer Teutën e vendeve të para, dhe në fund e mbyllëm me dy trofe.

Çfarë synimesh keni për sezonin e ri?

Dua të them se të gjithë duhet të japim më të mirën tonë në çdo seancë stërvitore, pasi në kampionat duhet sakrifikuar dhe duhet dhënë 100%, por deri atëherë, ka kohë. Së bashku kemi besim të plotë se do të bëjmë mirë në këtë sezon. Shpresojmë që deri në startin e sezonit të jemi në formë dhe ta nisim mbarë. Këtu janë të gjithë profesionistë dhe duhet të mendojmë për ndeshjet e sezonit të ri dhe të respektojmë fanellën. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë në fushë.

Është gati Teuta të zbres në fushë?

Skuadra është gati për të nisur kampionatin. Me kohën që kemi pasur në dispozicion kemi bërë më të mirën. Jam i kënaqur me mënyrën si shkuan gjërat, por edhe me lojtarët e ardhur. Besoj se Teuta ka për të qenë kompetitive dhe do të nisë ashtu si duhet rrugëtimin e saj sukseseve. Jemi në përmirësim të vazhdueshëm dhe presim vetëm startin.

Në startin e një sezoni ka gjithmonë një skuadër rivale, kë sheh Aleksi?

Janë disa skuadra pretendente, por unë shoh Tiranën dhe Kukësin si rivalë kryesorë për titull, pavarësisht se këtë vit do të jetë garë e fortë e të gjitha ekipet kanë bërë hapa para.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"