Albano Aleksi: Ia dola në mbrojtje prej Frashërit, të mbajmë të njëjtin rritëm edhe ndaj… Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 17:36

Albano Aleksi: Ia dola në mbrojtje prej Frashërit, të mbajmë të njëjtin rritëm edhe ndaj… Tiranës

Teuta ka marrë tri pikë të çmuara ndaj Bylisit, duke iu afruar edhe më shumë kreut. E megjithatë, në Durrës i qëndrojnë objektivit fillestar, që mbetet zona “Euro”. Por kjo nuk do të thotë se nuk do tentojnë më shumë. Dhe është Albano Aleksi ai që hapur e thotë se do të tentojnë trofeun e Kupës së Shqipërisë. 

aleksi

Fieraku po kthehet në “xhol” për Edi Martinin. Me dëmtimin e Arapit, mesfushorit iu desh që të luante si qendërmbrojtës dhe ia doli me sukses. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai shpjegon se do të jetë gjithnjë gati të luajë ku i nevojitet skuadrës.

Nga Laçi te Bylisi, çfarë ndryshoi te Teuta? 

Përveç tri pikëve, grinta e skuadrës më pëlqeu. Edhe pse ishim 1- 0, nuk e ndalëm luftën. Kampionati ka pak diferenca dhe mund të fitojmë e humbim ndaj çdo ekipi. Kemi cilësi në skuadër dhe kërkuam të luajmë rrjedhshëm. Në asnjë ndeshje nuk jemi shfaqur si ekip që luajmë në mbrojtje. Do të vazhdojmë të luajmë me logjikë.

Luajtët për gati 68 minuta në qendër të mbrojtjes, është ky roli i “fshehur” i Aleksit?

(Qesh) Kjo ishte ndeshja ime e dytë në këtë pozicion, pas përballjes me Vllazninë. Për fat të keq, dëmtimi i Arapit na prishi pak punë, por gjithsesi ekipi e ruajti portën të paprekur. Kjo edhe për meritë të Frashërit, që bëri një paraqitje mbresëlënëse, duke ditur se ishte i dëmtuar. Unë jam në dispozicion të ekipit dhe jam i lumtur që për aq minuta sa luajta në qendër, bëra mirë.

Të mërkurën luani ndaj Erzenit, a është Kupa objektiv?

Pavarësisht kampionatit, nuk duhet të lëmë pas Kupën. Është një mundësi e mirë për ta fituar duke parë dhe rrugën që kemi deri në gjysmëfinale. Duhet të shkojmë deri në fund dhe ta fitojmë këtë trofe.

A e mendoni të arritshme Europën nga kampionati?

Sigurisht që po. Janë edhe shumë javë deri në fund dhe ne kemi për të luajtur shumë takime. Duhet të bëjmë mirë ndeshje pas ndeshjeje, kjo është më e rëndësishmja. Jemi katër pikë larg vendit të parë dhe gjithçka është e mundur.

Këtë fundjavë përballeni me Tiranën. Sa të vështirë e keni këtë takim? 

Në këtë pikë të kampionatit, kur ende nuk e ke arritur objektivin, ndeshjet gjithmonë janë delikate dhe të vështira. Jemi në një pikë të sezonit ku gabimet janë të ndaluara ndaj nuk duhet të bëjmë të tilla. Mbeten edhe shumë pikë në lojë dhe për këtë duhet të vijojmë pa menduar se ç’ndodh më pas, por të përqendrohemi në ndeshjen e radhës.

Çfarë pret Aleksi nga përballja me Tiranën?

Pres që ekipi të tregojë të njëjtën dëshirë për fitore. Të mbajë të njëjtin ritëm sikurse në ndeshjet e fundit, ku arritëm të merrnim rezultat pozitiv ndaj Bylisit. Loja ka qenë e kënaqshme dhe me mjaft intensitet për ne. Duhet të tregojmë të njëjtin përqendrim sikurse përballë ballshiotëve deri në fund të sezonit.

Z.Qypi-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"