Meha: I zhgënjyer që s’jam në Kombëtare. De Biazi publikon SMS-të me lojtarin: Ja e vërteta!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2014 | 21:21

Meha: I zhgënjyer që s’jam në Kombëtare. De Biazi publikon SMS-të me lojtarin: Ja e vërteta!

smsNisur nga reagimi i Alban Mehës në mediat gjermane, dje gazeta ka kontaktuar menjëherë me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, duke i kërkuar një shpjegim në lidhje me deklaratën e Mehës dhe të klubit të Paderbornit. Italiani i stolit kuqezi ka preferuar që më shumë sesa të debatojë në distancë me lojtarin e tij, të publikojë bisedën me mesazhe që pat bërë javën e shkuar me Mehën. Të enjten, De Biazi i shkuar Mehës (në anglisht) mbi vendimin (duke i marrë edhe mendim), për mos ta grumbulluar në këto dy miqësore. “Përshëndetje Alban. Pashë golin tënd të bukur dhe të parë që shënove në Bundesligë. Poli më kërkoi që ti të vije në Kombëtare… OK, por unë mendoj se ti nuk je ende në formën më të mirë. Po të lë në dispozicion të klubit tënd, kështu që të kesh mundësi të punosh fort. Për mua dhe për ne është e rëndësishme ndeshja e marsit ndaj Armenisë. Më thuaj çfarë mendon…”, i shkruan De Biazi. Sakaq, Meha i përgjigjet: “OK, trajner, e pranoj”. Sakaq, De Biazi i dërgon një tjetër mesazh me këtë përmbajtje: “Nuk ka përjashtim për çështje teknike, por sepse ti nuk je ende në 100-përqindëshin tënd dhe luajte 90 minuta. Për ne, ti je një lojtar shumë i rëndësishëm! OK?”. Ndërkohë, edhe Meha i përgjigjet me vetëm një: “OK”. Pak a shumë këtë gjë De Biazi e sqaroi edhe në konferencën për shtyp të ditës së shtunë, kur trajneri kuqezi publikoi edhe listën e lojtarëve për dy ndeshjet e radhës. “Meha duhet të përqendrohet në rikuperimin e tij tërësor, pasi, ai është një lojtar që na duhet për ndeshjen e marsit të vitit tjetër dhe Albani e di fort mirë këtë gjë”.

De Biazi: Meha, vetëm 150 minuta aktivizim
De Biazi ka folur edhe në konferencën për shtyp të së enjtes, në krah të Lorik Canës, për mosgrumbullimin e mesfushorit të Paderbornit, Alban Meha: ”Kur kanë kaluar 11 ndeshje nga kampionati Gjerman, Meha nuk ka luajtur në 5 të parat, ndërsa në të gjashtën u aktivizua vetëm 12 minuta. Kur e grumbullova për Danimarkën dhe Serbinë e kuptova që nuk ishte në kondicionin e duhur fizik. Tani po luan në vazhdimësi dhe ka shënuar një gol por nuk besoj se është në gjendje të mirë me vetëm 150 minuta aktivizim. Meqë këto janë dy miqësore mendova për të mirën e klubit, lojtarit dhe kombëtares por dikush te Paderborn është ankuar. Gjithsesi ky është problemi i tyre”. 


MehaAlban Meha: I zhgënjyer që s’jam në Kombëtare

Alban Meha donte të ishte me patjetër në grumbullimin e Kombëtares shqiptare për ndeshjet ndaj Francës më 14 nëntor dhe Italisë, katër ditë më vonë. Por mesfushori i talentuar i Paderbornit u la jashtë listës nga trajneri Xhani De Biazi me arsyetimin se lojtari nuk është ende në formën e tij më të mirë, ndaj i nevojitet më shumë kohë për t’u rikuperuar plotësisht. Por tjetër gjë mendon Alban Meha. Në një prononcim për të përditshmen prestigjioze gjermane “Bild”, mesfushori kuqezi ka shigjetuar trajnerin e Kombëtares, duke mos fshehur aspak zhgënjimin për këtë mosgrumbullim. “Ndihem i zhgënjyer nga fakti që nuk jam grumbulluar me Kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet miqësore me Francën dhe Italinë. Trajneri i Kombëtares më tha se më parë duhet të jem në formën time më të mirë”, ka thënë Meha në një prononcim të shkurtër për këtë media. Meha ka kaluar një dëmtim të rëndë në gju, i cili e la jashtë fushe përgjatë gjithë verës. Ai u rikthye në fund të shtatorit dhe deri tani ka luajtur vetëm dy takime: ndaj Mynshegladbahut dhe Augsburg, ku ai shënoi edhe një supergol nga jashtë zonës.
Përplasja Gjithsesi duhet thënë se në fillim të tetorit, për ndeshjen ndaj Danimarkës dhe Serbisë, edhe pse Meha sapo ishte kthyer nga dëmtimi, De Biazi e pat grumbulluar (nuk luajti në asnjërën nga këto ndeshje), madje duke krijuar edhe një përplasje të madhe me klubin e Paderbornit. Drejtuesit e këtij të fundit nuk pranuan që ta lejonin lojtarin që të shkonte në Kombëtare me pretekstin se nuk ishte ende i rikuperuar plotësisht, por si De Biazi nga njëra anë dhe Meha nga ana tjetër këmbëngulën për të kundërtën. Për këtë arsye, lojtari u ndëshkua në heshtje nga klubi, duke u lënë jashtë 18- shes për disa ndeshje, fakt të cilin e pat konfirmuar edhe vetë lojtari gjatë një interviste për mediat shqiptare më 7 tetor.
Trajneri Ndërkohë, interesant është fakti se po ky trajner, Andre Breitenreiter, dje është prononcuar për të përditshmen gjermane “Bild”, duke treguar habi që Meha nuk është grumbulluar me Kombëtaren (një muaj më parë këmbënguli që lojtari të mos shkonte te Shqipëria). “Katër javë më parë, Albani nuk ishte në formën e tij më të mirë, por u ftua nga Kombëtarja shqiptare. Tani që është më mirë, nuk e marrin. Nuk arrij ta kuptoj këtë gjë”, pohon trajneri i Paderbornit. Sakaq, ai thekson gjithashtu se sipas tij, që nga dëmtimi, asnjë nga federata shqiptare nuk është interesuar ndonjëherë për shëndetin e Mehës. “Që nga ai moment (nga tetori), asnjë nga federata nuk është konsultuar me ne në lidhje me formën fizike të Albanit”, përfundon Breitenreiter.

Hileja e klubit gjerman me mesfushorin kuqezi
Alban Meha është pjesë e Paderbornit nga viti 2011, ndërsa në këtë periudhë ka ndihmuar skuadrën të arrijë deri në elitën e futbollit gjerman. Megjithatë, kontrata e tij skadon verën e ardhshme dhe kaq ka mjaftuar që të alarmohen drejtuesit e skuadrës me qëllim për të siguruar shërbimet e tij edhe për më tej. Në fakt, Meha është vetëm njëri ndër 14 futbollistët që u përfundojnë kontratat, por menaxheri i ekipit, Daniel Brukner, e ka renditur atë në mesin e katër lojtarëve që duhet të përfundojë bisedat. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit dje kanë lëshuar “bombën” kundër trajnerit të Kombëtares. Në fakt, Paderbornit do t’i interesonte që lojtari të ishte në këto dy ndeshje, pasi luhet ndaj dy gjigantësh të futbollit dhe nën sytë e shumë menaxherëve. Kjo gjë mund të sillte ndonjë ofertë konkrete sakaq nga klube të ndryshme për Mehën. Kësisoj, më shumë sesa interesi për lojtarin, klubi i Paderbornit merakoset për financat që mund të nxjerrë nga kartoni i kuqeziut.
LEONARD KARAJ

Kombetarja ne stervitjeTrajneri shkartis ekipin, ja sesi mund të luajmë
Kombëtarja zhvilloi seancën e radhës stërvitore. Ndryshe nga dita e parë e grumbullimit, ku lojtarët u ushtruan fare pak për shkak të lodhjes nga udhëtimi, ditën e dytë e në vijim stërvitja ka qenë e një karakteri më të rëndë nga ana fizike. Përgjatë 90 minutave i gjithë grupi, nën urdhrat e trajnerit De Biazi dhe ndihmësve të tij, provuan secilin lojtar në varësi të pozicionit në fushë. Ajo që ishte më e dukshme qe rëndësia e madhe që trajneri i dha vendosjes taktike të lojtarëve dhe saktësisë në veprimet me topin. Duke ditur forcën dhe kualitetet e kundërshtarëve në të dyja përballjet miqësore, numri një i pankinës sonë kërkon që secili lojtar të jetë sa më i përpiktë në atë që bën dhe të shfrytëzojë maksimalisht mundësitë që do të krijohen.
Stërvitja – Edhe pse zyrtarisht seanca e pasdites fillon në orën 17:30, të gjithë lojtarët mbërrijnë në ambientet e fushës stërvitore rreth 20 minuta më herët. Pas përshëndetjeve dhe kontakteve të para me njëri-tjetrin, në grupe të ndara fillojnë edhe veprimet e lira me topin. Atmosfera dhe batutat mes lojtarëve nuk mungojnë deri në momentin kur De Biazi sinjalizon fillimin zyrtar të stërvitjes. Fillimisht për rreth 20 minuta në këndin e fushës lojtarët bëjnë nxehjen e muskujve me përgatitësin atletik të ekipit, ndërkohë që De Biazi qëndron në distancë dhe herë pas here bisedon me ndihmësit e tij. Pas këtij momenti italiani e merr vetë në dorë situatën dhe e ndan grupin në dy pjesë. Këtu tekniku punon veçmas me mesfushorët dhe sulmuesit. Vazhdimisht prej tyre kërkon saktësi në realizimin e veprimeve. Ndërton skema sesi të arrihet deri në portën kundërshtare. Duket se gjithçka nis fillimisht nga këmbët e Kukelit, i cili, përveç rolit të shkatërruesit, ka detyrë të shpërndajë topat në ndërtimin e aksioneve. Veçantia e këtyre skemave janë pasimet e shumta deri në finalizim nga ana e sulmuesve, por edhe e mesfushorëve në raste të veçanta. I tillë ishte edhe rasti i Roshit, të cilin trajneri italian, përveç detyrave mbrojtëse në krahun e tij, e udhëzonte shpesh edhe të provonte goditjen drejt portës.
Formacioni – Nga sa kuptohet në stërvitje, formacioni i kuqezinjve në dy takimet e radhës duket se nuk do të ndryshojë shumë nga ai i ndeshjeve të tetorit. Kështu në portë Berisha është i padiskutueshëm. Në qendër të mbrojtjes, me shumë mundësi, do të jenë sërish dyshja Cana-Mavraj. Në krahun e majtë Ansi Agolli dhe në të djathtë të prapavijës shkodrani Hysaj. Kukeli, Abrashi dhe Memushaj në qendër të mesfushës do të mbështeten nga krahët përkatësisht nga Lenjani në të majtë dhe Roshi në të djathtë. Ky i fundit, për shkak dëmtimi mungoi në dy sfidat e fundit përballë Danimarkës në Elbasan dhe Serbisë në Beograd. Në sulm italiani i provoi të gjithë në skemat që aplikoi ditën e djeshme. U provua Balaj, Kapllani, Salihi, por edhe Cikalleshi. Hapësirë në skemat e De Biazit zunë edhe lojtarë të tjerë. Kështu, ndër të tjerë, për shumë minuta në mesfushë u provua edhe Armando Vajushi bashkë me Herolind Shalën.
Ajeti – Pas aplikimit të këtyre skemave, italiani grumbulloi sërish ekipin dhe i dha detyra të reja. Në njërin kënd të fushës një pjesë e lojtarëve ushtrohej për lojën nga krahët. Nga ana tjetër, për shumë minuta, vetë tekniku ia kushtoi mbrojtjes. Duke pasur parasysh cilësitë e kundërshtarëve të ardhshëm, lojtarët porositeshin dhe ushtroheshin për saktësi me topin dhe vendosjen e tyre në fushë. Në këtë repart shanse të larta për aktivizim në njërin nga dy takimet ka edhe Arlind Ajeti. Dje mbrojtësi i Bazelit u stërvit për herë të parë me Kombëtaren dhe dukej në formë të mirë sportive. Jo vetëm kaq, por edhe ambientimi i tij me pjesën tjetër të lojtarëve nuk dukej të ishte problem. Ai jo vetëm stërvitej me shumë dëshirë, por dhe shkëmbente batuta, sidomos me kapitenin Cana. Pas këtij momenti, lojtarët për pak minuta vepruan individualisht me topin deri në përfundim të të gjithë seancës stërvitore.
Roland Gjini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"