Alban Bushi beson te vazhdimi i De Biazit: Nuk kemi “Plan B”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2016 | 16:22

Alban Bushi beson te vazhdimi i De Biazit: Nuk kemi “Plan B”

Menaxheri i Kombëtares, Alban Bushi, flet për gjithçka. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bushi tregon emocionet e Europianit, bisedat me lojtarët, situatën në dhomat e zhveshjes pas disfatës ndaj Zvicrës, vendimin e kapitenit për t’u larguar. Ai ka edhe një vlerësim specifik për trajnerin e Kombëtares, ndërsa për deklaratat e fundit të të cilit në raport me të ardhmen ka pak koment dhe tregohet shumë i rezervuar.

13321765_10154070048852110_2676982462450305758_n

Si ishte ky grumbullim këtë herë?

Ka qenë një nga më të rëndësishmit dhe që mund ta kem shijuar. Ishte i veçantë dhe jo i mërzitshëm, sepse qëndruam dhjetë ditë në Austri, pesë ditë në Itali dhe pastaj vajtëm në Francë. Kjo, edhe që lojtarët të mos rëndoheshin psikologjikisht për qëndrim të gjatë në një vend.

Pas një karriere të gjatë si futbollist, tashmë me post drejtuesi. Çfarë ndjesie ju krijoi juve personalisht?

Unë i kam ndjekur si shqiptar. Si ish-futbollist dhe si tifoz i thjeshtë, pasi ishin këta lojtarë që bënë gjithçka dhe që u futën në histori, ndërsa ne si brez nuk e bëmë dot. Unë dua t’i falënderoj për gjithçka sepse e meritojnë. Sa herë shkonin përpara stërvitjeve, thosha që jam i gatshëm të jap gjithçka kam, vetëm që të luaja në njërën prej këtyre ndeshjeve në Europian.

Si e gjykoni përzgjedhjen e trajnerit për caktimin e listës ku ishin vetëm tre qendërmbrojtës?

Është diçka që nuk më përket mua dhe nuk mund të flas. Ne prandaj kemi bërë mirë sepse secili ka bërë detyrën e tij. Me këtë grup, çdo trajner do ta kishte të vështirë. Trajneri kishte kohë që t’i shihte lojtarët për të vlerësuar se cili i duhej dhe cili jo.

Çfarë ka ndryshuar në Kombëtare?

Organizimi, pasi ne kemi një nivel mesatarisht të pëlqyeshëm lojtarësh, pa individë cilësorë. Grupi është i fuqishëm. Ka ndryshuar karakteri që tashmë është fitues, i vendosmërisë që kanë lojtarët dhe për këtë ka meritë të madhe trajneri. Ai i ka menaxhuar dhe ka bërë të mundur që lojtarët të ndihen pjesë të Europianit. Ka rritje në tërësi që tashmë Shqipëria mund të konkurrojë edhe me ekipe si Franca.

Çfarë ndodhi në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes me Zvicrën?

Situata ishte shumë e keqe, por u munduam që t’u thoshim lojtarëve që të ngrinin kokën lart sepse dhanë maksimumin dhe futbolli i tillë është. Megjithatë, ishte e pamundur sepse secili e kuptonte që gjithë ajo punë dhe ajo që dhanë në fushë meritonte të paktën një gol.

Si ish-sulmues, keni biseduar edhe miqësisht me lojtarët e repartit të avancuar?

Patjetër që po, por pa i vënë në presion! Janë djem shumë të mirë dhe që dëgjojnë atë që ne themi nga eksperienca jonë. Ata duhet të dinë vetëm një gjë që të ngrenë kokën e të punojnë gjithmonë e më fort, pasi në futboll ekziston një shprehje: Shtyllë-gol lojtari është mbret, ndërsa shtyllë- jashtë, lojtari është kot. Ndaj nuk është për t’u mërzitur.

Çfarë ndodhi në ndeshjen me Francën?

Që në fillim mendoja se nuk do të mundeshim. Këtë e konfirmova brenda vetes, pasi pashë vendosjen e skuadrës në minutat e para. Pavarësisht se ekipi dha maksimumin, kur përballë ke një skuadër si Franca, është e pamundur ta përballosh për 90 minuta. Ajo të mposht pasi është më e mirë.

11063805_10154111848052110_264175164989033386_n

Cana ka dhënë një deklaratë për një largim të mundshëm…

Unë dua ta falënderoj Canën sepse kam luajtur shumë gjatë me të. Ai i ka dhënë shumë Kombëtares dhe ka hyrë në histori. Fillimisht, ai duhet të qetësohet dhe mendojë që është i aftë që t’i thotë vetes në cilin pozicion duhet të jetë.

Ky falënderim duket se është sinjal për largimin e tij përfundimtar…

Ai vendos vetë për gjithçka. Unë e shoh akoma të ri dhe mendoj se ka akoma për t’i dhënë Kombëtares dhe klubeve.

Trajneri është shprehur se ka dëshirë që të marrë drejtimin e Anglisë…

Trajneri është i lirë që të thotë çfarë të dojë dhe nuk ka asnjë problem. Megjithatë, unë nuk e kam ndjekur dhe nuk mund të jap asnjë opinion.

Ai ka pranuar mundësinë që ekziston për prishjen e kontratës dhe që të jetë një ditë në krye të “Tre Luanëve”…

Unë e di që ai është trajner i Shqipërisë me kontratë të rregullt dhe që ka dhënë maksimumin, ka qenë shumë disponibël për ne.

Në rast se ai vendos në një moment të caktuar largimin nga Shqipëria, duke paguar edhe klauzolën. Ka një ‘plan B’ të FSHF-së për këtë?

Ne nuk kemi as ‘plan A’ dhe as ‘plan B’. Kemi trajnerin aktualisht dhe nën kontratë.

Ka disa diskutime për lojtarët me origjinë nga Kosova. Sa rrezikon Shqipëria?

Është kënaqësi që edhe Kosova merr pjesë në kualifikuese dhe tashmë lojtarët mund të luajnë edhe me ne edhe atje. Nuk ka asnjë marrëveshje, por është zgjedhje e lirë. Nuk mendoj se Shqipëria ka ndonjë rrezik në këtë aspekt

Olsi Tujani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"