Alarm te Tirana para ndeshjes me Flamurtarin, dëmtohet sulmuesi Blazhevski

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2018 | 11:20

Alarm te Tirana para ndeshjes me Flamurtarin, dëmtohet sulmuesi Blazhevski

Dejan Blazhevski nuk luan as 10 minuta në miqësoren me 19- vjeçarët, pasi lojtari dyshohet se pësoi një tërheqje në kofshë. Sikur të mos mjaftonin problemet me rezultatet, Tirana rrezikon të humbasë për disa kohë sulmuesin kryesor të saj, Dejan Blazhevskin. Maqedonasi ka luajtur dje vetëm 10 minuta, pasi gjatë ndeshjes ka ndier një tërheqje në kofshë. Menjëherë, futbollisti ka dalë në anësore dhe është kontrolluar nga mjeku i ekipit.

blazhevski

Sapo ka përfunduar ndeshja e djeshme, fizioterapisti i skuadrës dhe Blazhevski i janë drejtuar spitalit për ekzaminime të mëtejshme, duke shpresuar që dëmtimi të mos ekzistojë. Vetë futbollisti ka pohuar se ka pasur tërheqje. Edhe pse shpresohet që të mos ketë dëmtim, nëse rezulton tërheqje, Blazhevski pritet të mungojë të paktën një muaj nga fushat e lojës.

Për Tiranën kjo do të ishte humbje e rëndë, pasi bardheblutë do të humbnin sulmuesin e dytë brenda një jave. Pak ditë më parë, pikërisht në sfidën me Laçin u dëmtua Namdi Oduamadi, i cili ka thyer klavikulën dhe do t’i mungojë një muaj Tiranës.

tirana

Të tjerët – Marvin Turtulli dhe Uinful Kobina ishin dy lojtarët e tjerë që patën probleme gjatë miqësores së djeshme. Si Kobina dheTurtulli patën lodhje muskulore dhe për këtë shkak u zëvendësuan para kohe nga trajneri Ardian Mema. Gjithsesi, për ta nuk ka ndonjë problem dhe do të jenë gati në fushë gjatë stërvitjes së të hënës, pasi e diela do të jetë pushim për ekipin bardheblu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"