Alarm para Tiranës, Osmani dhe Avdyli trembin Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2018 | 16:05

Alarm para Tiranës, Osmani dhe Avdyli trembin Teutën

Teuta vazhdon me përgatitjet në kompleksin stërvitor “Olimpik Park”, në Sektori Rinia për ndeshjen e dytë në kampionat kundër Tiranës në “Selman Stërmasi”. Edhe kundër bardhebluve Teuta pritet të zbresë në fushë me të njëjtin formacion, ndonëse trajneri ka disa pasiguri sa i përket repartit të avancuar.

Barazimi që ekipi regjistroi në shtëpi kundër Flamurtarit dha sinjale pozitive në disa aspekte, por sulmi duhet të jetë më efikas dhe këtë Shkëmbi e di mjaft mirë. Në fakt, kundër kuqezinjve Teuta pati dy raste flagrante, por që nuk arritën t’i finalizonin. Latif & Co duhet të bëjnë më mirë përpara portës. Në seancën e së martës fokusi i stafit teknik ishte pikërisht te këto ushtrime.

teuta

Në fund të seancës stërvitore, stafi teknik mori një lajm të keq me kapitenin Tefik Osmani, që u largua përpara kohe nga stërvitja. Mbrojtësi i qendrës pësoi një goditje dhe menjëherë doli jashtë fushës duke vendosur akull në kofshën e majtë. Nuk dihet ende shkalla e dëmtimit apo nëse është diçka pa rrezik, por vetë Osmani ndjeu dhimbje, të cilat i reflektoi me shprehjet e fytyrës. E njëjta situatë edhe për mesfushorin Florent Avdyli, i cili pas një përplasje në mesfushë u detyrua të dilte jashtë për të marrë ndihmën e mjekëve.

Shkëmbi – Bledi Shkëmbi ka vendosur disa rregull strikte dhe një nga këto është edhe për daljet publike. Pa lejen e tij nuk do të ketë më dalje për mediat, përveç konferencës për shtyp, e cila do të zhvillohet një ditë përpara ndeshjes. Përpara çdo ndeshjeje, do të flasë vetëm një lojtar ose vetë trajneri, në këtë rast Shkëmbi. Në sezonet e kaluara diçka e tillë nuk është praktikuar te Teuta, por stafi i ri teknik ka vendosur rregulla të reja. Kush e thyen këtë rregull, do të penalizohet rëndë.

D.Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"