Alarm mungesash te Tirana, Dede “arnon” formacionin ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2020 | 18:03

Alarm mungesash te Tirana, Dede “arnon” formacionin ndaj Vllaznisë

Tirana në alarm dëmtimesh dhe mungesash. Gjashtë titullarë me të gjitha gjasat do të mungojnë në sfidën me Vllazninë. Nga ana tjetër, katër lojtarë të tjerë janë me leje apo nëpër ekipet përfaqësuese, pa llogaritur të rinjtë si Stafa, Gjumsi apo Birçe që luajnë si me 21- vjeçarët dhe kombëtaret e moshave. Trajneri i ri Dede kishte dje në dispozicion jo më shumë se 20 vetë dhe mezi ia doli që të bënte dy formacione për të zhvilluar stërvitjen. Gjendja është alarmante pikërisht katër ditë para nisjes për në Shkodër.
125150241_2735665036689601_2749451494551995155_o
TË DËMTUARIT – Është e sigurt që në Shkodër nuk do të luajnë Agustin Torasa, Jurgen Çelhaka, Kristian Toshevski, Erjon Hoxhallari dhe Elton Kale. Argjentinasi ka probleme me gjurin, Çelhaka po riaftësohet nga një dëmtim i gjatë në muskujt e barkut. Kristian Toshevski nuk pritet të luajë deri në mes të dhjetorit. Probleme me shpinën ka edhe Erjon Hoxhallari. Elton Kale është operuar dhe kthehet në mars. Madje braziliani dje ka lënë Tiranën për t’u kthyer vetëm pasi të riaftësohet nga operacioni në shpatull. Të gjithë lojtarët e mësipërm janë titullarë të ekipit të Tiranës në këtë fillimsezoni. Me skuadrën vazhdon të mos stërvitet as Uinful Kobina, që tani do të largohet në një skuadër tjetër jashtë Shqipërisë.
Bekaj
LEJET – Katër lojtarë kanë marrë leje në ekip. Marsel Ismajlgeci është me kombëtaren e parë. Visar Bekaj po luan me kombëtaren e Kosovës. Me shpresat është Ernest Muçi, ndërsa Ilion Lika ka marrë leje për arsye familjare. Shkurt, është një Tiranë e boshatisur nga fillimi në fund.

FORMACIONI – Me shumë mundësi, Dede në Shkodër do të hedhë një formacion eksperimental. Në portë Bekaj, më pas Toli, Vangjeli, Najdovski që vetëm dje ka nisur stërvitjen dhe nuk dihet sesi do të shkojë deri në fund të javës. Mesfusha do të përbëhet nga Batha, Vrapi ose Giamfi, nga krahët Halili e Danso, në sulm dyshja Muçi-Sasraku, gjithmonë nëse Ernesti vjen nga 21-vjeçarët deri të shtunën dhe gjendja e Torasës që zor se ndryshon.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"