Alarm i kuq, reparti sulmues mbetet “thembra e Akilit” për Partizanin

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 17, 2020 | 20:52

FB Kategoria Superiore Partizani Të fundit

Alarm i kuq, reparti sulmues mbetet “thembra e Akilit” për Partizanin

Reparti sulmues mbetet “thembra e Akilit” për Partizanin për sezone me radhë. Edhe në sezonin e titullit mungesa e një bomberi u “vajtua” gjatë gjithë kohës, por trajneri Skënder Gega arriti ta zgjidhë mjaftueshëm këtë problem duke angazhuar 3 gjysmësulmues dhe në majë ishte një i ashtuquajtur “nëntë fals”. 

Partizani miqesorja

Në verë Partizani kreu 3 afrime në sul, të tre të huajt. Theofilus Solomon, Brajan Braun dhe Jozef Ekuban shikoheshin si “pyka” të mirëfillta. Por ecuria e pjesës së parë e ka thelluar më shumë krizën e golit të sulmuesve. Nga tre të huajt, që janë më të paguarit në klub, kanë shënuar vetëm 2 gola në 17 javë, edhe ato mbajnë firmën e nigerianit Solomon. “Panorama Sport” më poshtë do të parashtrojë disa arsye pse nuk shënon sulmi i Partizanit, arsye të cilat gjithnjë mbeten për interpretim.

SISTEMI I LOJËS- Në dallim nga sezoni i titullit, ku skuadra luajti thuajse gjithnjë me një modul loje e pa pikë referimi në sulm, këtë vit Partizani ka qenë i çakorduar sa i përket sistemit të lojës, që ka ndryshuar shpesh.

Partizani

Falë ndryshimeve në modul dhe rreshtim, sulmi ka qenë amorf dhe vështirësitë për të shënuar kanë qenë evidente. Ashtu si në pjesën e parë të sezonit, por edhe në miqësoren ndaj Budapest Honved u pa që skuadra vuan në 20-30 metrat e fundit dhe për këtë arsye sulmuesit mbeten të pambështetur nga repartet e tjera.

MUNGESA E FANTAZISTIT- Ka vite që “demat” vuajnë për organizator, por aktualisht ai u duhet shumë kampionëve. Të kuqtë kanë nevojë për një furnizues për sulmuesit, i cili të ketë marrëdhënie të mira me topin. Aktualisht shpresat e sulmuesve për t’u shërbyer mbeten nga krahët, që jo gjithnjë funksionojnë, si dhe nga topat e gjatë.

PRISHJA E BAM-it- Në sezonin e titullit çështja e golit në përgjithësi u zgjidh nga i ashtuquajturi BAM (Bardhi, Asani, Mala), që pati mbështetjen dhe alternimin me Telushin, Çinarin, Mensahn dhe Hebajn. Me prishjen e kësaj tresheje në verë nisën problemet në ekip. Vërtet nuk shënonin shumë vjet, por duke pasur një mbrojtje solide, që mungon këtë sezon, “demave” u mjaftonte edhe një gol për ndeshje. Skuadra e Gegës tregoi se dilet kampion edhe me një gol për ndeshje.

Partizani sulmuesit

NDRYSHIMET E SHPESHTA- Partizani në çdo merkato ka bërë ndryshime të shumta, gjë të cilat kanë lënë pasoja edhe tek efektiviteti në sulm. Ndryshimet e shpeshta të sulmuesve, por edhe të trajnerëve, ku për një vit kalendarik ekipi është drejtuar nga katër trajnerë (Gega, Lerda, Kalari dhe Sormani), janë pasqyra e ngërçit që ka kapur kampionët.

 PRESIONI I MADH- Nëse në edicionet e shkuara presioni kishte të bënte me fitimin e titullit, aktualisht trysnia ka të bëjë me mbrojtjen e titullit dhe dominimin në Superiore. Kjo e fundit realizohet duke pasur një ekip sulmues, si dhe duke pasur balancë mes reparteve.

PARTIZANI

BESIMI TE TË HUAJT- Këtë vit drejtuesit e klubit gjithë besimin e tyre e bazuan te të huajt, jo vetëm sa u përket sulmuesve, por edhe stafit teknik. Duke mos e njohur specifikën e Superiores, pa dyshim ky faktor ka ndikuar edhe te problemi që Partizani ka në sulm. I vetmi sulmues i huaj që ka shkëlqyer te “demat” ka qenë Kaleb Ekuban.

ILIR CARA –  PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com