Alaba: Levandovski është ndër më të mirët në botë, por “Topin e Artë” e meriton…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2022 | 8:54

Alaba: Levandovski është ndër më të mirët në botë, por “Topin e Artë” e meriton…

David Alaba është zgjedhur Sportisti i Vitit në Austri për të tretin vit radhazi nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Austrisë. Mbrojtësi i Realit nuk ishte i pranishëm për të tërhequr trofeun “Niki”, i cili mban emrin e kampionit të Formula 1 Niki Lauda, ndërsa mbrojtësi që fitoi Championsin sezonin e shkuar me Realin, e kishte bërë këtë çmim të tijin edhe dy herë më parë, me fanellën e Bajernit.

alaba 2

Në një intervistë të lëshuar për “Real Total”, 30-vjeçari u ndal të prekte edhe problemet që Benzema po has këtë fillim sezoni, veçanërisht në ndeshjen e fundit kundër Shahtjorit.

Por francezi mbetet favorit për të triumfuar në ceremoninë e “Topit të Artë” pas 9 ditësh, pavarësisht se Alaba i thuri elozhe edhe ish-shokut të skuadrës dhe mikut të tij Robert Levandovskit:

“Nuk jam i surprizuar për startin e Levës me Barçën. Ai provon çdo vit se është një prej sulmuesve më të mirë në botë. Benzema për ‘Topin e Artë’? Nuk duhet bërë as si pyetje nëse shikon atë që ai bëri sezonin e shkuar, e cila është pothuajse e pabesueshme. Jam shumë mirënjohës që isha pjesë e këtij suksesi”.

Ai u ndal të komentonte edhe një tjetër francez në skuadër, Orelie Tçoumenin. “Ai nuk ka vetëm shumë potencial, por ka sjell cilësi që prej ditës së parë. Kontributi i tij është i rëndësishëm dhe nuk ishte e lehtë për shkak të largimit të Kasemiros, një lojtar i klasit botëror në atë rol për një dekadë”.

Duke folur për rolin e tij të preferuar në fushë, mbrojtësi këmbënguli se pozicioni i tij është më shumë në qendër se sa në krah të majtë. “Ndihem më komod në qendër dhe mendoj se trajneri më sheh më shumë në atë pozicion gjithashtu.

Nuk është një sekret se mund të luaj në krah dhe do ta bëj kur skuadra të ketë nevojë sigurisht. Javët e ardhshme do jenë shumë të rëndësishme. Do të luajmë çdo tri ditë deri në Botëror”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"