Alaba, kundër kritikëve: Bajerni nuk është në krizë, askush nuk fliste kur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2021 | 22:03


Alaba, kundër kritikëve: Bajerni nuk është në krizë, askush nuk fliste kur…

Bajerni i Mynihut edhe pse kryeson Bundesligën gjermane ka shfaqur probleme në repartin e mbrojtjes në këto 15 javët e luajtura në kampionat. Por mbrojtësi i kampionëve, David Alaba, nuk e sheh si një problem që do të ndikojë në arritjen e objektivave sezonal.

alaba

“Jemi në vend të parë dhe kryesojmë me meritë. Jam i bindur që do t’i fitojmë ndeshjet e ardhshme dhe do të shpallemi sërish kampion”, tha austriaku për “Bild”. Bajerni edhe pse humbi me rezultatin 3-2 ndaj Gladbahut të premten e kaluar nuk rrezikoi të linte vendin e parë pasi Lajpcig u mund në shtëpi nga Borusia e Dortmundit. Por Alaba pranoi se në disa momente skuadra humb përqendrimin çka sjell edhe golat e shumtë të pësuar në këtë sezon: “Është e vërtetë që lejojmë kundërshtarin të na sulmojë në disa momente. Kemi folur me trajnerin dhe jemi duke punuar për të korrigjuar këtë gabim. Jo gjithçka shkon në mënyrën e duhur dhe kjo është e kuptueshme. Kemi edhe ne pikat tona të dobëta”.

I pyetur nëse do të ndryshojnë mënyrën e lojës, 28- vjeçari tha: “Me këtë mënyrë loje fituam disa trofe të rëndësishëm në vitin e kaluar. Kemi treguar se mund të mundim këdo me një lojë të bukur. Nuk besoj se na duhet të ndryshojmë diçka në lojën tonë. Thjesht duhet të jemi më të vëmendshëm dhe të përqendruar në atë që bëjmë në 90 minuta”.

E ARDHMJA

Ndërkohë e ardhmja e austriakut është ende e panjohur për tifozët dhe për vetë lojtarin që nuk beson se po kalon një moment të keq për shkak të paqartësisë për skuadrën se ku do të luaj në sezonin e ardhshëm. “Absolutisht jo. Jam i përqendruar te loja me Bajernin dhe deri sa të jem këtu do të jap 100% tim. E dua këtë klub dhe falë këtij klubi jam ky lojtar që shihni sot. Nuk ka ndodhur asgjë në këtë drejtim, për këtë të jeni të sigurt”, tha David, kontrata e të cilit skadon në qershor.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/