Akuzon Tomori, trajneri: Sot do ketë teatër në Elbasan, fierakët mosmirënjohës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2019 | 10:59

Akuzon Tomori, trajneri: Sot do ketë teatër në Elbasan, fierakët mosmirënjohës

Trajneri i Tomorit, Santiliano Dule, në ndeshjen e sotme do të jetë me mision në Elbasan për të ndjekur nga afër takimin Elbasani-Apolonia. Kujtojmë që beratasit sipas kalendarit, sot janë pushim. Tekniku beratas akuzon hapur se midis Elbasanit dhe Apolonisë ka marrëveshje dhe se do të ketë një tolerim nga ana e fierakëve, teksa pohoi se ndeshja e sotme do të jetë një teatër i vërtetë.

santiliano dule

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 30-vjeçari ka komentuar edhe situatat më të fundit që kanë ndodhur në kampin beratas, duke folur për largimin e futbollistit Dore dhe Galica.

Gjatë javës keni aluduar se do të ketë tolerim të Apolonisë ndaj Elbasanit në sfidën e sotme. Çfarë do të ndodhë?

Për mua nuk është aspak aludim që Apolonia do të tolerojë ndaj Elbasanit. Ndeshja e nesërme(sot) do të jetë një teatër i vërtetë dhe këtë do ta shikoni vetë. Nesër(sot) fiton Elbasani. Apolonia është një ekip që me intriga është mësuar për të marrë rezultate në tavolinë dhe vetëm kaq di të bëjë. Ndërsa sot thotë që luan pastër, drejt dhe do të respektojë garën deri në fund. Apoloninë e kam përgëzuar për fitoren që mori në Berat, por jo të ketë mision për të na dëmtuar ne dhe t’i bëjë nder Elbasanit. Kjo quhet një garë e pisët. Unë kam fakte për këtë gjë dhe fjala ime do të dalë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes. Apolonia nuk duhet të harrojë që përpara disa vitesh e shpëtuam për të mos rënë nga Superiorja. Dhe kurrsesi nuk duhet të luajë prapa krahëve tanë. Shpresoj që të jetë po ajo Apoloni me këtë shpirt gare, me këtë moral dhe me këtë integritet edhe në ndeshjen e sotme, por ajo çfarë kam dëgjuar, është se do të shikojmë një episod të dytë pas sfidës së kaluar, Pogradeci-Elbasani.

Si e komentoni deklaratën e trajnerit të Apolonisë, Stojku, që në lojë janë të tria rezultatet?

Sigurisht! Unë jam dakord deri diku me Stojkun që të tria rezultatet në futboll janë të pranishme, por nuk duhet të harrojmë që kur ekipi bën diferencë shumë të madhe në fushë, (në rastin si ndaj Tomorit) dhe pastaj nxjerr një tjetër fytyrë në ndeshjen e radhës, këtu ka diçka që nuk shkon. Në këtë rast marrim edhe shembullin e ndeshjes Pogradeci-Elbasani, ku pogradecarët nuk gjuajtën asnjëherë në portën kundërshtare. Këtu ka një prapaskenë të pistë dhe kjo e cenon garën në këtë grup.

Është përjashtuar futbollisti Dore dhe keni mbyllur me konsensus kontratën me sulmuesin Galica. Mund të na zbuloni diçka më shumë?

Në skuadrën e Tomorit nuk përjashtohet njeri. Ai është vetëpërjashtuar, pasi ne këtu jemi mësuar të respektojmë çdo ‘jabanxhi’ dhe nuk bëjmë dallime race, feje apo nëse është vendës. Dore më ka dërguar një sms para 24 orëve të ndeshjes, duke refuzuar që të luante ndaj Apolonisë për shkak se ai pretendon disa rroga të pamarra. Ndërkohë që rrogën nuk e ka marrë të plotë askush për shkak të një pakti që kemi bërë me futbollistët për ndeshjet e mbetura. Unë kam mbetur i zhgënjyer edhe pse kam qenë unë ai që e doja në skuadër. Dore nuk mund të jetë më pjesë e jona edhe sikur nga ana e tij të ketë një prapakthehu.

Po me Galicën çfarë ndodhi?

Sa i takon sulmuesit Galica, me atë kemi pasur marrëdhënie shumë të mira dhe serioze. Ka qenë një nga djemtë më të mirë që unë kam stërvitur, por në futboll nuk mjafton vetëm kaq. Me mirëkuptim të dyja palët kanë gjetur zgjidhjen dhe ne e falënderojmë.

Çfarë po ndodh me Tomorin?

Është e vërtetë që jemi me njërën këmbë në Kategorinë e Dytë, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të lëshojmë. Do të provojmë kthesën ndaj Elbasanit. Besoj se do të rikuperohen edhe 2-3 lojtarë që janë të dëmtuar. Do t’i japim edhe një shtysë të fundit edhe pse kjo situatë ka ardhur për shumë faktorë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"