Akuzon administratori Çapoj: Votojnë klube fantazmë, FSHF na ka mbyllur dyert

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2018 | 10:18

Akuzon administratori Çapoj: Votojnë klube fantazmë, FSHF na ka mbyllur dyert

Kur ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjen e Presidentit të ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku në garë është kreu aktual Armand Duka dhe deputeti i PS-së, Bashkim Fino, problemet dhe dyshimet njëkohësisht janë të shumta.

Një prej çështjeve që po diskutohet shumë gjatë ditëve të fundit ka të bëjë me anëtarët, të cilët do të votojnë për zgjedhjen e kreut të institucionit të futbollit shqiptar për katër vitet e ardhshme.

dUKA

Bie në sy fakti që do të votojnë klube si Sukthi, Himara, Olimpiku, Poliçani, Pojani apo Fieri, të cilat nuk ekzistojnë më prej disa vitesh. Dhe mungon Orikumi që është klubi, i cili merr pjesë prej pesë vitesh në kampionatet e futbollit shqiptar, një vit në Kategorinë e Tretë dhe katër në të Dytën.

Absurd fakti që votojnë njerëz që përfaqësojnë klube të “vdekura”, në një kohë që komunitetet dhe vetë skuadrat e atyre qyteteve nuk kanë asgjë për të përfituar nga institucioni i FSHF-së.

Dhe në lidhje me këtë çështje, gazeta ka kontaktuar me Administratorin e Orikumit, Gëzim Çapoj, i cili tregon se pse klubi i tij nuk është anëtar i FSHF-së dhe se si ndër vite i është refuzuar kërkesa klubit bregdetar për t’u bërë pjesë e FSHF-së me të drejta të plota, ndër to edhe mundësia për të votuar.

Orikumi

REAGIMI – “Ne si klub nuk kemi të drejtë vote në Asamblenë Zgjedhore që do të zhvillohet muajin e ardhshëm, pasi nuk jemi anëtarë të FSHF-së. Duket paksa absurde, por është e vërtetë. Unë kam bërë 2-3 herë kërkesë me shkrim për t’u bërë anëtar, por nuk jemi pranuar.

Edhe këtë vit nisa procedurat dhe do të bëja kërkesë, por më thanë që të mos vazhdoja më, pasi ishte vendimi i Asamblesë që nuk do të pranohej asnjë anëtar i ri. Kjo është skandaloze, pasi votojnë klubi si Poliçani, Olimpiku, Himara, Pojani, Vlora apo shumë të tjera që nuk ekzistojnë më prej shumë vitesh, ndërsa ne që jemi pjesë- marrës të rregullt në Kategorinë e Tretë një vit dhe tani në të Dytën 4 vite, nuk kemi të drejtë të votojmë.

Jemi një klub shumë i rregullt, pasi kemi paguar edhe kuotat e kërkuara çdo vit. U kam thënë drejtuesve të FSHF-së që është absurde që mbajnë anëtarë klube që nuk ekzistojnë më, ndërsa ne që jemi në aktivitet, nuk jemi anëtarë. Në Federatë ka stema të klubeve që janë zhdukur dhe e Orikumit nuk është. Kjo është skandaloze, por nuk kemi se çfarë të bëjmë”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport” administratori i Orikumit, Gëzim Çapoj.

Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"