Akuzoi Erzenin se merr penalltitë si “karamele”, koordinatori klubit i përgjigjet Bizhdilit: Shijaku ka burra, nuk na kanë vënë pistoletën në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2021 | 18:27

Akuzoi Erzenin se merr penalltitë si “karamele”, koordinatori klubit i përgjigjet Bizhdilit: Shijaku ka burra, nuk na kanë vënë pistoletën në…

Në Shijak nuk e kanë pritur aspak mirë deklaratën e dhënë nga Nexhat Bizhdili, se Erzeni po i merr penalltitë si karamele. Është Fundim Dollaku ai që ka vendosur të replikojë me presidentin e Besës, duke i cilësuar shpifje të rëndomta gjithçka ka thënë.

pjimage

Gjatë reagimit të dhënë enkas për “Panorama Sport”, koordinatori i klubit evidenton se çdo 11-metërsh e kanë merituar dhe nuk i duket fort normale që akuza të tilla i vijnë nga kavajasit, në një kohë që nuk janë ankuar as vetë ekipet me të cilat kanë luajtur. Ai ka thënë se tek Erzeni askush nuk ua ka vendosur “pistoletat në kokë” për t’u ngjitur në elitë, por kjo nuk do të thotë se duhet të pranojnë baltën.

“Lexova deklaratën e Bizhdilit dhe më vjen shumë keq që arrin në nivelin e shpifjeve. Erzeni ka fituar me meritë deri tani dhe nëse ka marrë 6 penallti, ato kanë qenë plotësisht të drejta. Nuk janë ankuar skuadrat kundërshtare me të cilat kemi luajtur, por ndërkohë flet Bizhdili dhe përpiqet të na njollosë punën. Janë shpifje të rëndomta, sepse ai vetë i pari e di fare mirë se sa seriozë jemi këtë sezon dhe nuk mund të na përmendë penalltitë”, u shpreh fillimisht zyrtari i klubit të Erzenit.

Nuk e la me kaq, por është ndalur edhe te krahasimi i bërë për formën si jepen penalltitë. Fundim Dollaku i kujton Nexhat Bizhdilit se në Shijak ka burra dhe këtë do ta kuptojë në ditën që do të luhet përballja direkte.

“Sa për karamelet, unë i them Bizhdilit se do të vijë edhe dita e ndeshjes mes Erzenit e Besës dhe ai do të kuptojë qartë forcën e skuadrës sonë. Në Shijak luhet futboll i pastër, pa hile dhe i them gjithashtu se në Shijak ka burra, nuk ka karamele. Karamele ndoshta ka në Kavajë, por jo në Shijak. Ne kemi qenë edhe në Superiore, por edhe në Kategori të Dytë, ama asnjëherë nuk kemi përmendur punën e të tjerëve.

Nuk na ka vendosur askush pistoletën në kokë këtë sezon që të ngjitemi në Superiore, sepse projekti është afatgjatë dhe serioz. Nëse do t’ia dalim, atëherë do të gëzonim tifozët tanë. Por nuk lejojmë që të hedhin baltë dhe akuza të pabaza për ne”, deklaroi koordinatori i klubit të Erzenit.

LEXO EDHE

“Shfryn” Nexhat Bizhdili: Erzenit i japin penallti si “karamele”, ja paralajmërimi për FSHF-në

FIQIRI SHEHU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"