Akuzat për trukim, presidenti Gjici: Sa të jem unë te Kukësi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2019 | 22:37

Akuzat për trukim, presidenti Gjici: Sa të jem unë te Kukësi…

“Panorama Sport” ka publikuar një ditë më parë ekskluzivisht raportin konfidencial që UEFA ka dërguar në institucionin e futbollit shqiptar 24 orë pas zhvillimit të ndeshjes Kukësi-Kastrioti 3-1.

Gjici

Më 1 qershor, UEFA, përmes sistemit të monitorimit të basteve BFDS, njoftonte FSHF-në se ka prova të qarta se rezultati i asaj sfide ishte luajtur në baste për qëllime përfitimi. Por, është presidenti Safet Gjici, i cili në një prononcim të dhënë enkas për gazetën hedh poshtë çdo akuzë dhe siguron se Kukësi i tij nuk ka trukuar kurrë në historinë e tij si klub.

“Kukësi nuk toleron dhe nuk trukon ndeshje as në kampionat, as në Kupat e Europës, madje as në miqësore. Ne si klub nuk kemi asnjë lidhje me të tilla gjëra. Sa të jem unë president i Kukësit, kurrë nuk kanë për të ndodhur. Kurrë nuk ka për të pasur tolerime e jo më gjëra të mëtejshme”, ka deklaruar fillimisht numri një i klubit. Kur pyetet nëse ka pasur dijeni për një sjellje jonormale të atij takimi, prerazi përgjigjet: “Jo, jo, aspak. Por, as Kastrioti s’ka trukuar e toleruar në dijeninë time, s’kam asnjë informacion për këtë gjë”. Më tej ai sqaron se nuk ka akuza dhe nuk ka për të pasur, pasi nuk ka asgjë të vërtetë dhe se Kukësi është i pastër. “S’ka asnjë shans. Jo që s’ka akuza, por nuk mund të ndodhë. Nuk ka asgjë të vërtetë. Kur je i pastër, asgjë nuk të bën përshtypje, as merrem unë me këto fare”, përfundoni presidenti.

REAGIMI I KLUBIT

Për këtë çështje ka reaguar edhe vetë klubi. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ka hedhur poshtë akuzat për trukimin e ndeshjes. “FK Kukësi hedh poshtë akuzat për trukim të ndeshjes me KS Kastriotin, luajtur më 30 maj 2019 në stadiumin e Kamzës, ku skuadra jonë fitoi me rezultatin 3-1, duke qenë ekip pritës, për shkak të mungesës së fushës. Deklarojmë me përgjegjësi se nuk ka asnjë element që të vërtetojë këtë akuzë. Ekipi ynë e ka pasur jetike këtë ndeshje, për të siguruar vendin e dytë në Kategorinë Superiore dhe për të qenë i sigurt në pjesëmarrjen e Kupave të Europës. Ndaj, impenjimi ka qenë maksimal nga skuadra dhe stafi.

Ne sigurojmë UEFA-n, institucionet e futbollit në Shqipëri, gjithë opinionin sportiv dhe tifozërinë se jemi të hapur ndaj çdo hetimi dhe se FK Kukësi kurrë nuk është përfshirë në ngjarje të tilla që shëmtojnë futbollin dhe imazhin e Klubit. Nuk është hera e parë që nga tregu i basteve vijnë akuza për ekipin tonë. Në një rast në Austri, pati një hetim të gjerë dhe të shtrirë në kohë nga prokuroria vjeneze. Pas hetimit 2-mujor, ekipit iu kërkua falje, pasi nuk u vërtetua asnjë element i trukimit apo paravendosjes së rezultateve. FK Kukësi ka luajtur me dinjitet në rreth 100 ndeshje miqësore dhe zyrtare me ekipe të huaja dhe kurrë nuk e ka prishur imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar. Përkundrazi, e ka ngritur lart në shumë stadium të Europës flamurin tonë kombëtar dhe atë të klubit, duke marrë vlerësime maksimale nga institucione, emra të shquar dhe ekipe futbolli elitë në Europë dhe më gjerë. FK Kukësi, stafi dhe skuadra nuk do të shpërqendrohen nga insinuata të tilla, por po vijojmë punën për nisjen e sezonit të ri futbollistik, ku synim mbetet titulli kampion dhe përmirësimi i infrastrukturës, ku përfshihet ndërtimi i stadiumit të ri të futbollit, ku ndeshjet për Kupat e Europës do të luhen në qytetin tonë”, shkruhej në reagimin e Kukësit.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"