Akuzat për trukim, Idrizi: ‘Federbet’ të vijë në Prokurori!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2016 | 11:47

Akuzat për trukim, Idrizi: ‘Federbet’ të vijë në Prokurori!

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, reagon ashpër pas deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të “Federbet”, se ndeshja e fazës së katërt të sezonit të kaluar në Laç, ka qenë e trukuar. Në prononcimin nga Turqia, në linjë telefonike për “Panorama Sport”, Idrizi u shpreh se është i gatshëm të tërhiqet nga futbolli dhe të ndiqet penalisht nëse faktohet kjo akuzë.

sinan idrizi

Gjithashtu, ai ftoi drejtuesin e kompanisë së monitorimit të basteve të bëjnë së bashku denoncimin në Prokurori. Në te kundërt, sipas Idrizit, zyrtari i “Federbet” duhet të kërkojë falje publike për akuzat që ka ngritur. “E ftoj këtë zotërinë, i cili quhet Françesko Baranka, dhe që nuk e njoh personalisht, të vij me mua dhe së bashku të shkojmë ta denoncojmë në Prokurori ndeshjen për të cilën ai na akuzon.

Francesco_Barranca_Federbet1

Nëse rezulton që ndeshja Laçi-Flamurtari është e trukuar, unë jam gati që të largohem nga futbolli dhe të ndiqem edhe penalisht. Nëse është e kundërta, atëherë ky zotëria, i cili hedh tymnaja, të kërkojë falje publike ose do të ndjekim ne rrugët ligjore. Sikur të vërtetohet që në kohën time është trukuar një ndeshje e vetme, unë tërhiqem dhe jam gati të përballem me ligjin. Nuk qëndroj unë në krye të një ekipi që trukon ndeshje”, deklaroi fillimisht Idrizi, i cili ishte shumë i revoltuar pas këtyre akuzave, që dëmtojnë imazhin e Flamurtarit, klubi ku ai po investon.

Dyshimi

Kreu i klubit vlonjat dyshon se gjithçka është e qëllimshme, ndërsa mendon se autorët e këtij sulmi pa baza janë ata që nuk e duan Flamurtarin. “Le të na tregojë ky zotëria se si shitet dhe blihet një ndeshje, se unë nuk e di. Të jemi të qartë, e ka parë ndeshjen ky që flet?! Është turp i madh! Të gjithë e panë atë ndeshje, se si ne luajtëm, ndërsa tani na del e trukuar.

laci flamurtari

Them se çdo gjë është e qëllimshme dhe bëhet nga të njëjtët aktorë, që gjithmonë e kanë sulmuar Flamurtarin. Ose të vërtetojnë që kjo ndeshje është e trukuar, ose do të merrem unë me ta. Unë jam i rregullt, si me pagesat dhe taksat,por këta më sulmojnë. Sa poshtë e ulin veten. Mendojnë se unë trukoj ndeshjet për të paguar taksat dhe detyrimet ndaj shtetit. Është poshtërsi dhe dashakeqësi, të vijnë të përballen me mua në Prokurori”, përfundoi reagimin për gazetën, administratori i Flamurtarit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"