Akuzat për korrupsion te Vllaznia, trajneri: Shpuzën do ta padis

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 20:34

Akuzat për korrupsion te Vllaznia, trajneri: Shpuzën do ta padis

Brikeno Bizi u ka kthyer përgjigje akuzave të rënda të Luan Shpuzës për korrupsion tek akademia “Vllaznia”. Ky i fundit akuzoi trajnerin e Vllaznia U-17 se djali i tij, Albi Shpuza, nuk u seleksionua te 17- vjeçarët e moshave në një kohë kur lojtari në fjalë është pjesë e kombëtares së moshave. Bizi ka hedhur poshtë gjithçka është thënë prej ish-lojtarit, duke dhënë versionin e tij për përjashtimin e djalit të tij, Albi Shpuza.

Brikeno

Trajneri, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, shprehet se prej një muaj e 10 ditë që kanë nisur stërvitjet tek akademia “Vllaznia”, djali i Shpuzës është paraqitur vetëm dy herë dhe jo më shumë. Por nuk e ka lënë me kaq, pasi ka kërcënuar se sot do t’i drejtohet gjykatës.

PËRJASHTIMI – Mungesat pa arsye kanë bërë që ai të mos seleksionohet, është kjo historia që tregon Brikeno Bizi. “Një muaj e 10 ditë që kemi nisur stërvitjet me akademinë dhe Albi Shpuza ka ardhur vetëm dy herë. Me rregull të klubit, me 5 mungesa pa arsye, përjashtohesh. Kur nuk paraqitesh, duhet që të vish me prindin sepse mund të ndodhë që mos të vijë në stërvitje dhe prindit t’i thotë se kam qenë në stërvitje, pra na ka ndodhur që edhe të gënjejnë.

Në këtë mënyrë, rregulli është që pasi mungon duhet të vish me prindin në stërvitje, që të sqarohet situata dhe të jepet arsyeja e mungesës. E kam pyetur lojtarin pse ke munguar dhe më ka thënë kam qenë në dasma. I kam thënë duhet të sjellësh prindin, por ai nuk e ka sjellë. I kam thënë drejtorit Alban Hasani, ndërsa edhe ai i ka thënë që ta sjellë prindin, por sërish nuk e ka sjellë. I kemi thënë që prindi i tij të sjellë një letër për të arsyetuar mungesat, por as kjo letër nuk erdhi kurrë.

brikeno55

Ne e kemi qartë edhe listë-prezencën e lojtarëve dhe që kur kemi nisur stërvitjen në një muaj e gjysmë ka ardhur vetëm dy herë dhe asnjëherë më shumë”, tha fillimisht trajneri i 17-vjeçarëve shkodranë.

GJYQI – Pas akuzave të Luan Shpuzës në drejtim të akademisë “Vllaznia” dhe trajnerit Brikeno Bizi, ky i fundit ditën e hënë do të depozitojë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër një padi për prishje të imazhit të akademisë dhe emrit të tij si trajner moshash prej 15 vitesh. “Ditën e hënë, në orën 09:00, unë do të shkoj në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe do t’i bëj padi për prishje të imazhit tim dhe të akademisë. Është një rast i përsëritur nga ana e tij sepse edhe me trajnerin e U-19, Luan Zmijani, ai e ka humbur gjyqin për të njëjtën arsye dhe ka paguar 2 milionë lekë të vjetër.

Pra, është mësuar që të na baltosë në një kohë që ne mundohemi shumë të punojmë. Nuk e kuptoj arsyen përse sillet në këtë mënyrë sepse nuk i shërben zhvillimit të futbollit. Ne thjesht kemi zbatuar rregulloren e klubit dhe të akademisë dhe duke qenë se nuk ka ardhur, ai është vetëpërjashtuar. Nuk na kanë sjellë asnjë lloj justifikimi, as vetë lojtari dhe as babai i tij, madje s’na kanë sjellë as letër.

Brikeno-Bizi

Pastaj seleksionimet tek akademia ‘Vllaznia’ nuk kanë përfunduar ende, ndërsa lojtari në fjalë nuk ka bërë as pagesën mujore për korrikun dhe tani, kur ai as nuk ka ardhur dhe as nuk ka paguar, nuk e kuptoj si e paskemi hequr ne, aq më tepër kur seleksionimet s’kanë përfunduar dhe ende nuk ia kemi dërguar listën drejtorit të akademisë ‘Vllaznia'”, tha Bizi, duke paralajmëruar gjyq.

BALTOSJA – Trajneri e shpërfill Luan Shpuzën dhe akuzat e tij, duke thënë se nuk është fare menaxher. Ndërsa sjell në vëmendje edhe një rast tjetër të ngjashëm, kur sipas Bizit, Luan Shpuza pas baltosjes së emrit të trajnerit të akademisë, Luan Zmijani, ka humbur gjyqin me këtë të fundit duke u detyruar të paguajë 2 milionë lekë të vjetër. “Unë nuk e njoh si menaxher dhe për periudhën kur ai thotë që kanë qenë drejtues i akademisë ‘Vllaznia’ me presidentin Valter Fushajm, është i pasaktë, sepse s’ka qenë fare dhe në atë kohë kam qenë unë sërish e jo ai.

Është një person që përbalt mundin dhe djersën time si trajner. Sa për Adën që thotë ai, unë e kam krijuar atë akademi dhe për 7 vite me ekipin U-17 dhe U-19 ne kemi qenë në Superligë dhe kemi pasur shumë sukses bashkë me Altin Xhahysën. Ai s’ka lidhje me futbollin dhe nuk e di çfarë menaxheri është. Pastaj, njihet edhe karriera ime, se kush jam unë dhe se kush është ai. Asgjë nuk është e vërtetë dhe gënjen.

vlcsnap-2018-08-27-14h17m22s106

Edhe herën parë në gjyqin me Luan Zmijanin ka gënjyer duke thënë se ma kanë vjedhur faqen e ‘Facebook’, por kësaj here është edhe me zë e figurë, kështu që nuk besoj se ju si gazetar i keni vënë pistoletën në kokë që të flasë me zor dhe nën presion”, theksoi ai.

KORRUPSIONI – Lidhur me akuzat se lojtarët përzgjidhen me dreka, darka apo kostume “Versace”, Bizi ia kthen me ironi. “Sa u përket akuzave për dreka në Shirokë, refugjatët, apo të tjera si këto, janë probleme që do t’i zgjidhë gjykata e Shkodrës. Do t’ia lëmë në dorë drejtësisë.

Gjithsesi, Luan Shpuza, sa merret me gjëra që nuk qëndrojnë, bën mirë që kostumet dhe këpucët që ka marrë borxh te shokët e tij për të shkuar në dasma, t’ua kthejë, sepse ata nuk ia kanë falur dhe ai nuk i ka kthyer ende. Edhe pse është periudhë dasmash dhe mund t’i duhen, Luani ka dhjetë vite që vishet me rrobat e shokëve, kështu që bën mirë që t’ua kthejë sepse i ka mbajtur gjatë shumë. Gjithsesi, akuzat e tij do t’i zgjidhë drejtësia”, përfundoi Brikeno Bizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"