Akuza që në start, Gorea shpërthen ndaj federatës: Tërhiqemi nga gara nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2019 | 23:39

Akuza që në start, Gorea shpërthen ndaj federatës: Tërhiqemi nga gara nëse…

Këtë fundjavë do të ngrejë siparin sezo ni i basketbollit në Shqipëri, ku do të zhvillohen ndeshjet e javës së parë si për meshkuj, ashtu edhe për femra. Në prag të këtij edicioni, Arqile Gorea, presidenti i Shoqatës së Basketbollit Teuta flet për skuadrën e tij.

arqile gorea

Ai gjithashtu i rikthehet sezonit të kaluar, duke akuzuar ashpër FSHB, ku sipas tij ky institucion u bë pengesë për mosfitimin e titullit nga ana e Teutës. Gorea denoncon arbitrimet e bëra ndaj ekipit të tij dhe kërcënon se nëse do të përsëritet diçka e tillë, do të tërheqë skuadrën nga gara.

Gorea komenton edhe ndryshimet e shumta që ka bërë në pankinë si dhe “çështjen” e amerikanit Kopes. Kështu ende pa startuar, edicioni i ri nis me polemika të forta nga drejtuesi më i lartë i “djemve të detit”.

Z. Gorea, a është gati Teuta për sezonin e ri dhe me çfarë objektivash futeni?

Skuadra po përgatitet me seriozitet të madh, ku do të paraqitemi me një ekip të kompletuar dhe me kualitete sportive që do të jenë një kontribut i çmuar për kampionatin. Do të shikoni një skuadër që do të justifikojë plotësisht pretendimet e sportdashësve, të klubit dhe të vetë shoqatës.

Gjithashtu do të justifikojmë pretendimet e të gjithë lojtarëve, që të them të vërtetën janë shumë të mobilizuar dhe të angazhuar për t’i fituar të gjitha trofetë, aq më tepër që ky sezon daton me 100-vjetorin e themelimit të klubit, që do të jetë një motiv më shumë për ne.

Cilat skuadra shikoni si rivalet kryesore të Teutës?

Ne i respektojmë të gjitha ekipet, duke nisur që nga Goga Basket, pavarësisht mënyrës se si e fitoi vjet kampionatin. Janë një ekip serioz dhe që kanë vlera që duhen marrë në konsideratë. Një kundërshtar që po bën përpjekje të konsiderueshme është edhe Vllaznia. Një skuadër që vjen me energji të reja dhe pretendime, që ka në përbërje elementë të mirë. Nuk mund të lë pa përmendur Tiranën dhe Partizanin, që ndryshe nga ekipet e tjera, janë skuadra 100% me bazë shqiptare dhe meritojnë respekt.

T’i kthehemi edhe njëherë sezonit të kaluar, i cili ishte një prej kampionateve më të forta të këtyre viteve të fundit, me dy ekipet durrsake që luftuan për titullin. Keni ndonjë keqardhje dhe a mund të bënte Teuta më shumë në atë kampionat?

Fillimisht dua të them se sezoni i kaluar ishte një sezon i tregimit të vlerave të basketbollit durrsak dhe veçanërisht të ekipit të Teutës. Ne thyem për herë të parë tabutë, duke marrë pjesë në eventet ndërkombëtare dhe duke arritur deri në finalen e Ballkan Ligës, gjë të cilën nuk e kishte bërë asnjë klub në të gjithë historinë e basketbollit shqiptar.

Keqardhja është natyrisht që nuk arritëm të dilnim kampionë, pasi i kishim të gjitha mundësitë nëse s’do të ishim aksidentuar nga ndërhyrjet e paligjshme dhe keqdashëse të individëve të caktuar, apo nga organizmi që merret me zbatimin e rregullores së basketbollit. U shpallëm fitues të Kupës, të Superkupës, finalistë me probabilitetin 70-80% për ta marrë edhe kampionatin, por u prishën rregullat e lojës.

Mjafton të shikojmë ndeshjen finale, ku u zhvillua në kundërshtim me të gjitha rregullat e FIBA-s, në një palestër e cila nuk u certifikua dot për 16-vjeçarët nga FIBA. Në ambientin sportiv ku u mbajt finalja, oksigjeni shënonte 18.2%. Një ambient asfiksues për sportdashësit dhe jo më për sportistët. Gjithashtu kemi rezervat tona absolute për arbitrimin, ndërkohë që ishte një finale ku nuk lejuan tifozët tanë, duke u dhënë vetëm 35 bileta. Një gjest që mund të burojë vetëm nga shpirtzinjtë, pasi nuk mund t’ua heqësh të drejtën qytetarëve të Durrësit për të parë ekipin e tyre dhe derbin durrsak. Për çudi, me gjithë protestat tona, federata e pa normale për ta luajtur ndeshjen atje.

Ju vjet shkarkuat shumë trajnerë, mes tyre edhe Afrim Bilalin teknikun e ekipit tonë kombëtar. Nëse do të riktheheshit në kohë, do t’i bënit sërish të njëjtat zgjedhje?

Gabimet janë njerëzore, por për një gjë dua ta garantoj opinionin, tifozërinë durrsake dhe lojtarët, që gjithçka është menduar për të mirën e skuadrës. Nëse trajneri konfliktohet me mjedisin ku ai punon, duhet të fitojë shumica, d.m.th ekipi. Ne e morëm trajnerin Bilali duke menduar se ishte trajner i mirë, por analiza dhe rezultatet na treguan krejt të kundërtën. Ne e larguam se nuk ishte i përshtatshëm për ekipin tonë, shto këtu edhe disa simptoma të tjera që nuk shkonin me moralin e skuadrës sonë.

Një humbje e madhe për Teutën ishte edhe largimi i amerikanit Kopes, i cili la një boshllëk të madh në pjesën decizive të sezonit.

Kjo është shumë e vërtetë. Largimi i tij jo vetëm na penalizoi, por në mënyrë të jashtëligjshme na traumatizoi, edhe në psikologjinë e ekipit, sepse ndodhi në një moment kur ne prisnim finalet e Ligës Ballkanike. Ai ishte një lojtar i madh dhe me të mund të fitonim edhe Ligën Ballkanike, ndërsa kampionatin as që do ta kishim diskutuar nëse do të luhej në kushte normale.

Por mënyra se si u veprua me këtë lojtar duhet të kishim një qëndrim kategorik të federatës, për sjelljen e Goga Basket. Ne këtë çështje nuk e kemi lënë, sepse nuk ka të bëjë vetëm me moralin e fitores, por me moralin e basketbollit shqiptar. Kopes në datën 8 tetor ka gjyqin, pasi është i paditur nga ana jonë për të paguar dëmin që i ka shkaktuar ekipit. Ne jemi të vendosur për ta ndjekur deri në fund këtë çështje, për të sqaruar opinionin dhe për t’u treguar vendin njerëzve që në emër të basketbollit e shkatërrojnë basketbollin.

Teuta është ankuar në shumë raste për arbitrat, sidomos gjatë finaleve.

Ishte një arbitrim mizerje. Kur bëhet fjalë për rregulla loje, kemi të bëjmë me dy standarde. Tjetër standard përdoret për lojtarët dhe tjetër për këto kasapët që presin dhe shesin ndeshje. Për mendimin tim kjo duhet të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes së sivjetshme në federatë. Këto rregulla mund të vendosen vetëm duke qëndruar jashtë konfliktit të interesave. Nëse je pjesëmarrës dhe ke konflikt interesash, atëherë ke humbur të drejtën morale për të kërkuar llogari. Konflikti i interesave është katastrofa e basketbollit tonë.

Më konkretisht, cili është konflikti i interesit që ju po denonconi?

Ne kemi shumë arbitra që janë pronarë ekipesh. Ndërkohë, ta nisim që nga sekretari i federatës, Llazani, i cili “de fakto” është përgjegjësi i Kamzës. Që këtu nis konflikti i interesit, ku kemi të bëjmë me një njeri që ka 12 vite në federatë që përveç rezultateve negative, nuk ka sjellë asnjë pozitivitet tjetër. Për çfarë mund të vlejë, përveçse një hyzmeqar apo shërbëtor. Nuk mund të ketë efekt tjetër. Nëse edhe këtë herë do të prishen rregullat, atëherë do të dalim me masa ekstreme, deri në tërheqje nga kampionati.

Ju keni edhe disa shqetësime të tjera për rregulloren. Cilat janë ato?

Ne ende nuk kemi një top zyrtar më të cilin do të luhet. Duhet vepruar ashtu siç ndodh në të gjitha kampionatet dhe jo le të luajmë me çfarë të jetë. Ne themi që është rregull vendosja e himnit kombëtar para ndeshjeve, ndërkohë që këtë rregull disa e zbatojnë e disa jo. Është qesharake të dënosh një fëmijë me 500 mijë lekë për një gjest antisportiv, ndërsa lojtarë profesionistë që bëjnë gjeste ekstreme dënohen me 50 mijë apo 100 mijë.

Në këto masa penalizimesh nuk duhet kurrsesi të jenë jashtë gjyqtarët. Çfarë do të bëhet me këta njerëz që shesin dhe blejnë ndeshje? Një tjetër shqetësim është prezenca e medias, ku të gjithë dallaverexhinjtë nuk duan. Pasi media i dokumenton të gjitha pisllëqet që bëhen. Tjetër shqetësim ka të bëjë me klasifikimin e ambienteve sportive, të cilat duhet të certifikohen. Nëse do të rregullohen këto gjëra, ne do të shikojmë një kampionat më të bukur se vjet.

Tjetër problem është transparenca financiare. Vetëm për federim lojtarësh kam shpenzuar vjet më shumë se 10 mijë euro. Ku shkojnë këto para? Merren vendime ku thuhet që federimi për një lojtar të huaj do të jetë mbi 800 euro, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi i kanë nga 450 dhe 350 euro. Basketbolli shqiptar ka një mori kontributorësh, me breza basketbollistësh që kanë bërë historinë e këtij sporti në vendin tonë. U bëj thirrje që t’i kthehen historisë dhe mos të lejojnë që kontributi, djersa dhe sakrificat e tyre të nëpërkëmben nga njerëz meskinë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"