AKUZA PËR TRUKIME/ Fitorja e Vllaznisë B, flet ish-trajneri i Tërbunit: Nuk kishte asgjë të dyshimtë…

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 23, 2018 | 22:39

AKUZA PËR TRUKIME/ Fitorja e Vllaznisë B, flet ish-trajneri i Tërbunit: Nuk kishte asgjë të dyshimtë…

Një operacion i gjerë policor, i shtrirë brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, ka çuar në arrestimin e një grupi të strukturuar kriminal. Mes tyre është i ndaluar edhe trajneri aktual i Kombëtares së femrave, Armir Grima, si dhe ish-portieri i Tërbunit, Fabiol Rexhepi.

Krepi

Nga sa bëhet me dije paraprakisht, Grima është përfshirë në këtë valë arrestimesh për llogari të hetimeve nën akuzën e “Organizim i lotarive të palejuara”. Paraprakisht, mësohet se bëhet fjalë për ndeshjen e Kategorisë së Parë në edicionin e shkuar, mes Vllaznisë B dhe Tërbunit, e fituar nga shkodranët me rezultatin 2-1, ku pjesëtarë të grupit kriminal kanë kontaktuar me Grimën për të ndikuar te disa futbollistë në lidhje me ndeshjen.

Vllaznia B

Trajneri i Tërbunit

Kreshnik Krepi, ish-trajneri i Tërbunit në sezonin e kaluar, në një intervistë për “Panorama Sport” komenton ndeshjen, për të cilën pretendohet të jetë e dyshuar si e manipuluar mes Tërbunit dhe Vllaznisë B si dhe paraqitjen e portierit Fabiol Rexhepi, për të cilin mohon dyshimet sa i përket takimit në fjalë, ku shkodranët kanë triumfuar me rezultatin 2-1.

Portieri i Tërbunit në sezonin e shkuar, Fabjol Rexhepi, është arrestuar dhe dyshohet se është përfshirë në trukimin e ndeshjes mes Vllaznisë B dhe Tërbunit, që ka përfunduar 2-1, ku ju keni qenë trajner. Si e kujtoni atë ndeshje, a ka pasur ndonjë formë presioni?

Jo, asnjë gjë nuk ka pasur. Ne kemi dashur që të fitojmë në atë takim, pasi me gjithë ndeshjet e tjera që do të kishim në vijim, na duhej fitorja. Nuk ka pasur asgjë. Një muaj më parë kemi fituar ne 0-1 në Shkodër. Nuk ka pasur asnjë problem dhe asnjë gjë.

Sipas jush, Vllaznia B ka fituar me meritë?

Po, 100% me meritë. Unë si trajner, nuk mund të bëj asnjë lloj paragjykimi në lidhje me atë ndeshje. Përkundrazi, kemi qenë pranë barazimit me Jurgen Gjinin rreth minutës së 75- të, ku u godit traversa dhe më pas topi doli jashtë. Unë u habita nga këto arrestimet në botën e futbollit. Më vjen keq.

Krepi

Edhe portieri ka bërë ndeshje korrekte, nuk ka pasur sjellje të dyshimtë?

Asgjë fare, në botë! Për asnjë lojtar që unë si trajner kam pasur në fushë, jo vetëm në atë ndeshje, por në të gjithë takimet.

 Çfarë mendoni rreth arrestimit të Fabiol Rexhepit, i cili ka qenë portier i ekipit tuaj në sezonin e kaluar?

Vjet ka ardhur te Tërbuni. Madje, në atë ndeshje ai ka shpëtuar tri – katër raste të sigurta. Nuk ka bërë asnjë lloj gabimi. Në ndeshje të tjera ka bërë gabime, për shembull në takimin me Burrelin ka bërë gabime, si të them, elementare. Kemi bërë shumë analiza për atë takim që ata kanë fituar në Shkodër, pasi ne ishim duke fituar 1-0 dhe në fund u mundëm 1-2. Po habitem në lidhje me këtë ndeshje.

B.Bozgo






www.minuta90.com