Akuza për riciklimin e parave të mafias, Gatuzo ngre supet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2018 | 17:54

Akuza për riciklimin e parave të mafias, Gatuzo ngre supet

Ende pa president e pronar, i angazhuar me apelimin në KAS… E tani një tjetër “stuhi” po kalon mbi Milanin, edhe pse kjo e fundit jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Trajneri i kuqezinjve, Xhenaro Gatuzo, është nën hetim së bashku me 52 persona të tjerë në kuadër të një hetimi të drejtuar dhe koordinuar nga Prokuroria e Ivreas (qytet i Torinos), për transferimin e jashtëligjshëm të vlerave monetare dhe riciklimit të të ardhurave ilegale.

Gatuzo

RRETHI – Gatuzo shihet i përfshirë si ortak i 35% së një kompanie (nga 1 nëntori i 2011-ës në 19 dhjetor të 2013- ës) të falimentuar në 13 maj 2014, e specializuar në rritjen e derrave dhe prodhimin e sallameve të ambalazhuar. Hetimi nisi nga një shoqëri që në atë periudhë menaxhonte shtëpinë e pushimit “Casa del Sole” në Favria dhe që përfshin edhe ish-ministrin e vendit, Saverino Ferrino, në atë kohë zv. ministër.

Pronarët e shtëpisë së pushimit kishin denoncuar një sjellje jo transparente nga administrata komunale, duke shpjeguar edhe se ministri dhe zv.ministri kishin tentuar të përjashtonin biznesin e tyre nga menaxhimi i shtëpisë së pushimit për t’ia besuar “Eurocoop Service”, një prej shoqërive të shumta, aktive në Piemonte, Lombardi dhe rajone të tjera italiane, në përgjegjësi të Motës dhe të përdorura nga biznesmeni për “larjen e parave”. Në kuadër të operacionit policor, biznesmeni Paskuale Mota (i lidhur edhe me “Ndrangheta”-n, shoqërinë mafioze italiane), 45 vjeç, është arrestuar me burgim paraprak. Ndërsa për 8 persona të tjerë u dha urdhër për arrest shtëpiak.

REPLIKA – Rino Gatuzo, ndërkaq, ka thënë fjalën e tij lidhur me çështjen në një komunikatë: “Dokumenti i marrë nga prokura e Ivreas është një akt i detyruar prej pozicionit si ish-ortak i një shoqërie, mbi të cilën ka rënë kujdesi i prokurorisë. Hetimi, ende në vijim, po zhvillohet mbi një subjekt që rezulton i lidhur vetëm në mënyrë indirekte me atë shoqëri, nga e cila zoti Gatuzo ka dalë pas një periudhe të shkurtër. Zoti Gatuzo, në atë shoqëri, nuk ka mbuluar asnjë rol operativ, por zotëronte vetëm një kuotë të kapitalit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"