Akuza për komplot, Laçi në sulm: Te Kukësi e dinë edhe lojtarët kush i gjykon (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2019 | 20:05

Akuza për komplot, Laçi në sulm: Te Kukësi e dinë edhe lojtarët kush i gjykon (E PLOTË)

 

Zyrtarët e Laçit nuk e kanë pritur mirë deklaratën e Olsi Teqjes, që hidhte akuza për telekomandim të arbitrave.

kukesi laci

Kurbinasit barazuan në një ndeshje të vuajtur me Kukësin dhe dihet se shpeshherë rivaliteti mes dy klubeve i ka tejkaluar edhe caqet sportive, por diferenca këtë vit është që debati në distancë filloi herët. Drejtori sportiv i Laçit, Naim Halili, e fton Olsi Teqjen të japë shpjegime se nga e dinte ai që kishte ndryshuar arbitri i ndeshjes Kukësi-Laçi 1-1, e luajtur të dielën në “Loro Boriçi”.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Halili thotë gjithashtu se është alarmante që te Kukësi e dinë se kush do t’i arbitrojë, madje e dinë edhe lojtarët, përveç drejtuesve.

Naim Halili

REPLIKA E HALILIT

“Kam dëgjuar deklaratën e Teqjes dhe përtej shumë gjërave që nuk më pëlqyen, ishte edhe rrëfimi i tij naiv, se ishte ndryshuar arbitri, – thotë Halili për ‘Panorama Sport’ – Pra, të ndalemi pak këtu: te Kukësi e ditkan edhe lojtarët se kush do t’i arbitrojë dhe se kur bëhen ndërrimet e arbitrave, apo se kush duhej t’u shkonte atyre për arbitrim. Zakonisht, të tilla gjëra i dinë vetëm zyrtarët e sektorit të arbitrimit dhe jo klubet. Ne nuk jemi marrë ndonjëherë me arbritrat dhe nuk e kemi ngritur zërin as kur kanë gabuar ndaj nesh. Por jam realisht i befasuar që te Kukësi e dinë edhe lojtarët se kush do t’i gjykojë…! E ftoj Teqjen të thotë publikisht se nga e dinte që është ndryshuar arbitri? Kush ia ka dhënë këtë informacion dhe si ka mundësi që këto gjëra i dinë edhe lojtarët e një klubi, ndërsa te klubet e tjera edhe zyrtarët janë të painformuar…”, u shpreh Halili me nota ironie.

ECURIA E LAÇIT…

Drejtori i Laçit ka folur më pas edhe për ecurinë e skuadrës së tij. “Së pari, ne nuk jemi marrë me arbitrat, as kur na kanë dënuar, madje edhe shpesh. Na vjen keq që krijohen situata të tilla, por nuk ia vlen që të ngresh alibi rreth arbitrave që në javën e tretë. Ne kemi strategji tjetër, atë të punës dhe të seriozitetit. Natyrisht, presim më shumë nga skuadra, sepse është bërë një punë kolektive shumë e madhe, nga të gjithë faktorët, por kemi besim se do të bëjmë shumë më mirë në të ardhmen”, deklaroi Halili.

Ky i fundit ka punuar për disa vite te Kukësi, gjithashtu në rolin e drejtorit, duke kontribuuar edhe ai në fitimin e titullit kampion nga verilindorët tri sezone më parë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"