Aktivizohet vetëm në Champions, Onana: Dua vazhdimësi, por respektoj zgjedhjet e trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 11:23

Aktivizohet vetëm në Champions, Onana: Dua vazhdimësi, por respektoj zgjedhjet e trajnerit

“Folëm para ndeshjes me Onanën dhe më këshilloi që të tentoja anën e djathtë të Ter Shtegenit, pasi aty ishte më i dobët”, deklaroi Çalhanoglu për golin e tij në përfundim të ndeshjes me Barcelonën, duke i dhënë një pjesë të meritës kamerunasit, që ishte edhe një herë tjetër portieri i zgjedhur i Inzagit për Champions League, këtë herë përballë së shkuarës së tij.

ANDRE ONANA 2

26-vjeçari është formuar në akademinë e katalanasve, por sot me 24-ën zikaltër mbi shpinë kërkon të bëjë më të mirën për këto ngjyra.

“Përballja me Barcelonën ishte një sfidë speciale për mua, pasi kam qenë që fëmijë pjesë e Barçës dhe kam një ndjesi shumë të veçantë për ta. Por jam shumë i lumtur që ia dolëm të fitonim përballë tyre dhe të merrnim në shtëpi tri pikët”, e nisi deklaratën e tij Onana, që ishte një ndër më të vlerësuarit në mbrëmjen europiane të Interit, duke ngjallur edhe një herë polemikën mbi rrotacionin e portierëve që aplikon Interi mes Champions-it dhe kampionatit.

DUALIZMI – Inzagi ka përfunduar shpeshherë në bankën e të akuzuarve për zgjedhjet e tij në këtë drejtim, por mbi këtë çështje Onana u shpreh: “Unë luaj vetëm në Champions? Është një kompeticion shumë i rëndësishëm. Sigurisht që është po ashtu e rëndësishme që një portier të ketë vazhdimësi, por në një skuadër ajo që vlen më shumë është të respektohen zgjedhjet e vendimet e trajnerit dhe unë e bëj këtë”.

Në fund, i vetëdijshëm për kontributin e tij dhe për ndeshjen e parë me portën e paprekur të Interit, kur mes shtyllave ka qenë ai, ish-portieri i Ajaksit tha: “Kemi pasur të gjithë momente të vështira, ndodh në futboll ashtu si në jetë, por tani duhet t’i lëmë pas. Për mua ka një domethënie të veçantë mbajtja e portës e paprekur dhe mendoj se është një nga pikat kyçe për të fituar një ndeshje”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"