Aktivizimi i Shkurtajt mbahet pezull nga FIFA, shiu “ngujon” skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2017 | 11:31

Aktivizimi i Shkurtajt mbahet pezull nga FIFA, shiu “ngujon” skuadrën

Reshjet e shumta të shiut, që kanë rënë gjatë ditës së djeshme në qytetin e Gjirokastrës, kanë detyruar stafin teknik të ndryshojë planin stërvitor. Fillimisht ishte vendosur që ekipi të përgatitej në Fushën e Vjetër, por duke parë situatën meteorologjike skuadra është zhvendosur në Pallatin e Sportit të qytetit.

Shkurtaj

Pjesë e stërvitjes së djeshme kanë qenë pothuajse të gjithë lojtarët, përfshi këtu edhe blerjen e fundit, Vasil Shkurtajn. Por, ky i fundit ende nuk është i gatshëm për të luajtur me bluzinjtë, pasi nga dita në ditë pret që të vijë edhe konfirmimi nga sistemi TMS i FIFA-s, në mënyrë që ai të aktivizohet. Gjithsesi, lojtari është pjesë e bluzinjve dhe tani bëhet fjalë vetëm për çështje procedurash.

Stërvitja

Humbja ndaj Teutës nuk është pritur mirë nga stafi teknik i Luftëtarit, që ka mbetur disi i zhgënjyer nga disa lojtarë të veçantë. Megjithatë, si për të harruar atë disfatë, tani po mendohet për takimin e Kupës së Shqipërisë ndaj Elbasanit.

Edhe pse ky kompeticion nuk është në objektivat e ekipit, turi i parë është detyrim për t’u kaluar. Dje u stërvit i diferencuar Eduart Rroca, ndërsa Vangjel Zguro, për shkak të një lëndimi, mungoi. Sa i takon procesit stërvitor, ai ka qenë i lehtë dhe kryesisht me vrapime, por nuk kanë munguar dhe lojërat me top në grupe të vogla.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"