Aktet e dhunës në stadiumet shqiptare, hyn në fuqi ligji i ri. Ja dënimet shembullore që rrezikohen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 17:30

Aktet e dhunës në stadiumet shqiptare, hyn në fuqi ligji i ri. Ja dënimet shembullore që rrezikohen

Ka hyrë zyrtarisht në fuqi ditën e sotme, ligji i ri për sa i përket dënimeve në lidhje me dhunën në sport. Përveç dhunuesve, që sot e tutje, burg rrezikojnë edhe mbajtësit e flakadanëve apo mjeteve piroteknike në shkallët e stadiumeve.

Dhuna

Shkak për këto ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, u bë dhuna e ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti, në ndeshjen Kamza-Laçi sezonin e kaluar e vlefshme për Kategorinë Superiore.

Dhuna ne kamze eldorjan hamiti qarri

Kujtojmë që pak ditë më parë, dhuna ishte prezent në derbin e kryeqytetit, ku tifozeritë e Tiranës dhe Partizanit u përplasën me njëra-tjetrën. Këto vepra të shëmtuara nga sot e tutje sipas ligjit të ri do të dënohen me burgim nga 1 deri në 3 vjet.

Neni 274/a

Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv

Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 274/b

Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive

Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"