Aksionerët hapin “thesin”, Lushnja me buxhet të plotë për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2021 | 15:50

Aksionerët hapin “thesin”, Lushnja me buxhet të plotë për sezonin e ri

Lushnja planifikon superbuxhet për vitin 2021. Të mërkurën e ardhshme do të mblidhet asambleja e përgjithshme e aksionerëve e klubit, ku do të kalohet për miratim fondi dhe pasqyra financiare për sezonin e ri. Verdhejeshilët janë një ndër klubet e Kategorisë së Parë me të ardhura të shëndosha dhe të stabilizuara. Janë parashikuar në total 508 milionë lekë (të vjetër).

Lushnja-Egnatia

Veç 400 milionëve që akordon vetë bashkia e qytetit, 108 milionë do të vijnë nga sekondaret. Në zbatim të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe të statutit të shoqërisë aksionere “KF Lushnja 1930” sh.a., anëtarët e asamblesë së përgjithshme të aksionerëve kanë marrë një material për miratim. Në këtë material bëhet fjalë për projektplanin financiar të vitit 2021.

Klubi i Lushnjës do të ketë të ardhura nga bashkia dhe sekondaret rreth 508 milionë lekë (të vjetër). Gazeta “Panorama Sport” ka siguruar materialin në lidhje me të ardhurat për vitin 2021, e cila do të miratohet të mërkurën e ardhshme në një mbledhje “online” të asamblesë. Në këtë material thuhet: “KF Lushnja 1930 sh.a. është krijuar me VKB nr. 60, datë 06.09.2013 për pjesëmarrjen e Bashkisë Lushnjë si aksioner i vetëm në themelimin e shoqërisë ‘KF Lushnja 1930’ sh.a, i cili funksionon me të ardhurat e veta si dhe me ato që i kalon bashkia në formën e subvencionimit. Projektplani financiar i vitit 2021 është hartuar duke marrë në konsideratë, mirëfunksionimin e sh.a.-së dhe arritjen e rezultateve për ekipin e futbollit Lushnja”.

JA TË ARDHURAT E PROJEKTPLANIT: 1. Të ardhurat nga akademia e futbollit parashikohen në vlerën 1,430,000 lekë. 2. Të ardhurat nga biletat e stadiumit parashikohen në vlerën 1,500,000 lekë. 3. Të ardhurat nga bashkia janë në vlerën 40,000,000 lekë, sipas parashikimit të miratuar nga bashkia Lushnjë. 4. Të ardhurat nga reklama dhe e drejta televizive janë parashikuar në vlerën 4,000,000 lekë. Kjo e ardhur akordohet për ekipet e futbollit nga FSHF-ja dhe reklama që vendosin subjekte të ndryshme, në këmbim në publicitetit në ambientet e stadiumit. 5. Të ardhura nga donacionet janë parashikuar në vlerën 3,400,000 lekë.

Kjo e ardhur parashikohet nga donacionet, që japin për ekipin e futbollit subjekte të ndryshme biznesi, dashamirës të futbollit. 6. Të ardhur të tjera janë parashikuar nga vërtetimet e ndryshme apo lejet e kalimit. Kjo e ardhur është parashikuar në vlerën 469,967 lekë. Në total të ardhurat e KF Lushnja 1930 janë parashikuar në vlerën 50,799,967 lekë. Kështu, Lushnja parashikon për këtë vit mbi gjysmë miliardi lekë (të vjetër). Një shumë e konsiderueshme për një klub të Kategorisë së Parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"