Aksi Elbasan-Gjirokastër-Korçë, më pas në Belgjikë, ja kronologjia e shitjes së Abazajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2018 | 16:46

Aksi Elbasan-Gjirokastër-Korçë, më pas në Belgjikë, ja kronologjia e shitjes së Abazajt

Kristal Abazaj u pikas nga klubi i Luftëtarit në verën e vitit 2016. Pasi kishte mbyllur sezonin me Elbasanin në Kategorinë e Parë, talenti me origjinë nga Tropoja firmosi një kontratë 3-vjeçare me gjirokastritët për 1.9 milionë lekë të vjetër në muaj. Pasi shkëlqeu që në sezonin debutues në Superiore, kërkesat për talentin erdhën duke u shtuar. Në adresë të klubit Luftëtari mbërritën oferta zyrtare nga klube greke, qipriote dhe holandeze, por asnjë nuk bindi presidentin Grigor Tavo, derisa ky i fundit bëri një pakt me Ardjan Takaj.

Abazaj

05.01.2018 – Klubi i Luftëtarit pranon ofertën zyrtare të Skënderbeut për Kristal Abazajn. Sulmuesi firmos për dy vite e gjysmë me korçarët dhe kalon në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni te gjirokastritët. Skënderbeu derdh në arkën e Luftëtarit 200 mijë euro neto. Kontrata depozitohet zyrtarisht në FSHF më 30 janar, teksa shifra është shkruar e zeza mbi të bardhë. Klubet paraqitën një kontratë shitjeje, si dhe një kontratë huazimi, ku lojtari deri në maj ishte i Luftëtarit.

27.01.2018 – Si për ironi të fatit, më 27 janar Abazaj bën dopietë kundër Skënderbeut. Në stadiumin e Gjirokastrës kishin ardhur enkas nga Belgjika për të ndjekur nga afër Abazajn skaut të klubeve Anderleht, Zulte dhe Antverp. Menaxheri i Anderlehtit futet në bisedime zyrtare me Skënderbeun, por gjithçka i lihet vazhdimësisë së lojtarit në kampionat, teksa është vëzhguar imtësisht nga drejtuesit belg.

10.04.2018 – Anderlehti dërgon ofertën zyrtare në klubin e Skënderbeut dhe Takaj bie dakord për shifrën e transferimit, që është 750 mijë euro neto.

13.04.2018 – Abazaj njoftohet për t’u paraqitur në Tiranë, ku në një nga klinikat e kryeqytetit zhvillon testet mjekësore. Gjithçka kalon me sukses.

15.04.2018 – Lojtari, bashkë me drejtorin e klubit korçar, Haris Fakiç, si dhe menaxherin Shkumbin Qormemeti, nisen drejt Brukselit për të zyrtarizuar marrëveshjen.

16.04.2018 – Abazaj firmos një kontratë 3-vjeçare me opsion rinovimi edhe për dy sezone. Lajmin e bën publik në faqen zyrtare vetë klubi i Anderlehtit, ndërsa Skënderbeu dhe Luftëtari mbajnë gjithçka për efekt tratative.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"