Ajazi i premton besnikëri Shkumbinit edhe në të Parën
Selami Ajazi është portieri që në javët e fundit ka mbrojtur katërkëndorin e Shkumbinit. I riu ka bërë paraqitje të mira, pavarësisht se skuadra peqinase nuk ka mundur dot që të shmangë rënien nga Superiorja. Për “Panorama Sport” ai premton besnikëri, edhe pse ekipi do luajë një kategori më poshtë. “Kemi dalë nga objektivat, por ne jemi duke vijuar punën për ta mbyllur denjësisht sezonin. Jemi ndëshkuar nga planet e skuadrave të tjera, të cilat edhe një herë e treguan fytyrën e vërtetë. Por sigurisht që me ato plane të turpshme ata kanë larguar sportdashësit, të cilët nuk i pranojnë pazaret. Gjithsesi, tashmë mendojmë për ndeshjen me Tomorin dhe më pas atë ndaj Luftëtarit, ku synojmë të marrim pikët e plota. Jemi të vendosur për t’i bërë një mbyllje sa më dinjitoze kampionatit dhe më pas të mendojmë për sezonin e ri. Personalisht premtoj se do të jem sërish pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm, pavarësisht faktit se do të luajmë një kategori më poshtë”, – ka përfunduar Ajazi.
Fatmir Ahmeti