“Air Albania” dhe “Elbasan Arena” gati për të mirëpritur sfidat europiane, Kejdi Tomorri: Jemi duke u sforcuar pak për… barin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 15:04


“Air Albania” dhe “Elbasan Arena” gati për të mirëpritur sfidat europiane, Kejdi Tomorri: Jemi duke u sforcuar pak për… barin

Sfidat e skuadrave shqiptare në Eureopë po afrojnë dhe dy stadiumet që do të presin këto përballje të para, “Air Albania” dhe “Elbasan Arena” po bëhen gati që këto ndeshje të shkojnë në mënyrën më të mirë. Drejtori i Departamentit të Shërbimeve dhe Administrimit të Qendrave Sportive, Kejdi Tomorri, shpjegon se gjendja në stadiume është mirë dhe për problemet me barin e “Air Albanias”.

tirana - air albania

“Gjendja e stadiumit është relativisht e mirë. Jemi duke u sforcuar pak në mbajtjen e barit, duke qenë se ishte planifikuar që stadiumi të kishte këtë lloj bari deri për finalen e Ligës së Konferencës, por edhe pak më pas për ndeshjet e ekipit kombëtar dhe duke qenë se është një lloj bari vetëm për periudhën e dimrit, jemi duke “e vuajtur” pak për ta mbajtur në formën më të mirë të mundur për dy ndeshjet që do të vijnë me datë 12 kur do të luajë ekipi i Tiranës dhe 14 ekipi i Partizanit”, – thotë Tomorri për FSHF.

Për sa i përket stadiumit “Elbasan Arena”, ai u shpreh: “Edhe në stadiumin “Elbasan Arena” gjendja është optimale. Prej shumë kohësh aty kemi një fushë shumë të mirë, por edhe pjesa tjetër e infrastrukturës së stadiumit është shumë mirë për të mirëpritur ndeshjen që do të luajë Laçi”.

ELBASAN ARENA

PANORAMASPORT.AL