Ahmataj punon vetëm, Doka spostohet sërish majtas. Ja si pritet formacioni i Tiranës ndaj Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 21:48

Ahmataj punon vetëm, Doka spostohet sërish majtas. Ja si pritet formacioni i Tiranës ndaj Kukësit

Edhe dje, Tirana ka punuar gjatë në “Skënder Halili”. Trajneri Julian Ahmataj po shtyn shumë fort në fushën e lojës dhe jashtë saj. 

tirana

Sërish dy orë përgatitje me një ekip që u stërvit në sytë e Ahmatajt dhe tjetri bënte kuadrat diku në cep të fushës. Dihet që Tirana do të ketë dy mungesa të sigurta në sfidën me Kukësin. Bëhet fjalë për Tefik Osmanin dhe Ismael Dungën. Të dy lojtarët janë të dëmtuar dhe nuk do të luajnë në sfidën e së shtunës.

E VEÇANTA – Gjithsesi Ahmataj nuk e ka çarë kokën për dëmtimet. Sërish dje ka punuar vetëm me titullarët dhe disa nga rezervat. E veçanta është se ai punon vetëm dhe zakonisht nuk merr ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij. Akil Jakupi ka qëndruar si zakonisht me rezervat, Egboja me portierët, ndërsa Jani me lojtarët që kanë probleme. Për një orë Ahmataj si çdo ditë ka punuar vetëm, duke lënë mënjanë të gjithë ndihmësit dhe kjo ka rënë goxha në sy.

FORMACIONI – Në ndryshim nga stërvitja e djeshme, Doka është rreshtuar në krahun e majtë në vend të Ismajlgecit, ndërsa Halili e Kale janë më të avantazhuar për të qenë në fushën e lojës. Pjesa tjetër e skuadrës është po ajo, me Likën, Muçën, Hoxhallarin, Vangjelin, Bathën, Çelhakën, Hasanin e Ngonë. Aktivizimi i Dokës është një shenjë që palët janë afër marrëveshjes dhe mund të ketë një firmë edhe për në muajt në vazhdim.

c

STATISTIKAT – Ekipi i Tiranës ka pësuar 14 gola gjatë këtij kampionati. Skuadra bardheblu vazhdon të vuajë problemet në repartin e prapavijës, duke qenë një nga ekipet më të këqija. Fjalë pozitive ka për sulmin që ka shënuar 20 gola, por në ndeshjet e fundit ka zhgënjyer, pasi nuk ka shënuar më shumë se një rrjetë për takim, çka ka sjellë edhe rezultatet zhgënjyese. Kujtojmë që Tirana e ka mace të zezë Kukësin në kryeqytet, pasi prej nëntorit të 2015-ës nuk e shijon fitoren në fushën e vet. Gjashtë takimet e mbetura janë gur prove për Ahmatajn. Nëse gjërat nuk ecin, gjasat janë që në janar palët të ndajnë rrugët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"