Ahmataj me “dhimbje koke”, humb dy lojtarë në prag të kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 10:26

Ahmataj me “dhimbje koke”, humb dy lojtarë në prag të kampionatit

Kur duket se bojkotit të kampionatit po i vjen fundi dhe Kategoria Superiore pritet të ngrejë siparin e sezonit të ri, Skënderbeu vuan mungesën e dy elementëve, që për ekipin duken të rëndësishme. Në kohën kur të gjitha ekipet duhet të jenë gati, korçarët janë ndikuar nga problemet fizike.

skenderbeu

Bëhet fjalë pikërisht për dy mbrojtësit që janë bashkuar së fundmi me ekipin, Remi Dujardin dhe Mërgim Shala. Të dy prej javësh janë të diferencuar dhe madje Shala nuk po kryen as punë individuale për shkak të problemeve fizike. Nëse mbrojtësi i majtë nga Hong Kongu, duket se ishte një alternativë e dytë në zgjedhjet e Ahmatajt ajo që shqetëson më shumë trajnerin është mungesa e Shalës.

Skenderbeu56

Mbrojtësi, i cili la shenja pozitive që pas mbërritjes së tij në Korçë para disa javësh ka pësuar një dëmtim në gishtin e këmbës së djathtë. Dëmtim ky që u duk i lehtë në fillim, por ishte më i vështirë nga sa pritej. Prej tre javësh lojtari e ka të pamundur të shkelë fort me këmbën e djathtë dhe kjo ka ngjallur dyshime se mund të jetë edhe një frakturë e gishtit. Nëse është kështu, pritet që Ahmataj të humbasë Shalën edhe për disa javë të tjera.

Nga ana tjetër Remi Dujardin ka pësuar një tërheqje të ligamenteve të gjurit dhe është duke kryer terapi riaftësuese. Mbrojtësi që u afrua si një alternativë e rëndësishme në krahun e majtë të mbrojtjes do të jetë edhe për disa ditë jashtë grupit para se të fillojë ingranimin pjesërisht me skuadrën. Këto janë problemet që mbajnë në ankth Ahmatajn për fillimin e sezonit.

Ahmataj

KALENDARI – Mosdhënia e një date të caktuar se kur mund të fillojë sezoni i ri për këtë kampionat, duket se ka prishur planet e Skënderbeut. Një gjë të tillë e tregoi anulimi i testit miqësor që ishte caktuar të luhej dje në Cërrik përballë Turbinës. Pas anulimit të kësaj miqësoreje, korçarët kanë mbetur në ajër dhe gjithë sy e veshë nga vendimi që do të marrë Liga Profesioniste për fillimin e aktivitetit.

Ahmataj Skenderbeu

Në kushte kur nuk ka asnjë komunikim zyrtar për diçka të tillë edhe korçarët janë të hezituar për të caktuar test miqësor për fundjavën. Burime në klub bëjnë me dije se do të presin deri pasditen e sotme për të marrë një vendim të qartë se çfarë do të ndodhë me kampionatin dhe më pas do të kërkojnë një ekip për të mbushur ciklin javor me një test miqësor. Tashmë me nisjen e kategorisë së Parë dhe të Dytë të vetmet alternativa mbeten ekipet e superiores ose një test brenda familjes.

LLAZI SARO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"