“Ahmataj ishte i butë”, Taipi: Memelli na ka bërë agresivë, s’biem nga kategoria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2021 | 12:54

“Ahmataj ishte i butë”, Taipi: Memelli na ka bërë agresivë, s’biem nga kategoria

Shqiprim Taipi ishte një ndër më të mirët në fushë ndaj Vllaznisë. Mesfushori me origjinë nga Bujanovci luan prej dy sezonesh e gjysmë te Skënderbeu dhe ndeshja e fundit e ka habitur edhe atë vetë. Në një bisedë për “Panorama Sport”, titullari i bardhekuqve tregon edhe ndryshimin që ka pësuar skuadra pas ardhjes së trajnerit Migen Memelli. “Skënderbeu më ka habitur edhe mua ndaj Vllaznisë, pasi ishim të gjithë së bashku. Çdo repart ka funksionuar. Luftuam në grup, pavarësisht se nuk e kishim fatin me vete. Në pjesën e parë ndeshja mund të shkonte edhe 3-0, por nuk ia dolëm të thellonim avantazhin. Më pas në pjesën e dytë e pësuam nga penalltia dhe e patëm pak të vështirë. Megjithatë, ishte një pikë me vlerë dhe nëse vazhdojmë kështu, jam i bindur që do t’ia dalim”, ka thënë fillimisht Taipi.

Taipi

SITUATA

Mesfushori është i bindur se duke vazhduar me të njëjtën lojë si ndaj Vllaznisë, skuadra nuk do ta diskutojë qëndrimin në Superiore. “Nëse jemi të gjithë së bashku, duke dëgjuar fjalët e trajnerit dhe zbatuar ato në fushë, shpresoj se do të mbijetojmë në Superiore. Ishim përgatitur shumë për këtë ndeshje ndaj Vllaznisë. Nuk e kemi parë këtë skuadër në javët e tjera në këtë nivel, pasi këtë herë edhe trajneri na kërkoi diçka më tepër. Kemi punuar fort dhe mendoj se meritonim fitoren. Fati nuk ishte me ne, por Skënderbeu nuk bie nga kategoria dhe të gjithë e dinë se çfarë emri ka ky klub. Ne duhet të luftojmë për qytetin, fanellën dhe tifozët. Bëra më shumë se dy vite këtu dhe duhet të vlerësojmë fanellën që mbajmë veshur. Do të luftojmë sa më shumë për klubin, veten dhe familjet tona. Nuk mund ta lëmë Skënderbeun në këtë gjendje. Të dalim sa më shpejt nga kjo situatë”, është shprehur 24-vjeçari, i cili luan në qendër të mesfushës.

KËRKESA E TRAJNERIT

Por çfarë ka ndryshuar te Skënderbeu pas ardhjes së Memellit dhe pse ekipi nuk shkoi mirë në epokën e Ahmatajt? Taipi jep një përgjigje direkte. “Trajneri Memelli ka kërkuar luftë dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin sa më shumë. Vetëm kështu mund t’ia dalim. Edhe me Ahmatajn kam pasur bashkëpunim të mirë. Edhe ai është një trajner shumë i mirë, por ndoshta dallimi qëndron te fakti se Ahmataj ishte disi më i butë. Memelli kërkon shumë agresivitet dhe luftë në fushë për të ndihmuar njëri-tjetrin sa më tepër. Trajneri ka futur grindën në skuadër dhe luftojmë më shumë”, theksoi titullari i skuadrës korçare.

shqiprim taipi

NDESHJA NË BALLSH

Skënderbeu luan të shtunën një transfertë delikate ndaj Bylisit. Taipi beson te fitorja në Ballsh. “Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe në Ballsh. Besojmë te fitorja në këtë transfertë, pasi e kemi bërë edhe në fazën e parë. Normalisht kemi respekt për çdo skuadër, por do të luftojmë edhe më fort në këtë takim. Asnjëherë nuk e mendoj se do të biem nga kategoria dhe këtë do ta tregojmë me punë në fushë”, përfundoi Taipi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"