Agustin Kola: Ze Maria gaboi, Halili të afrojë Nurin për Tiranën e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2018 | 23:18

Agustin Kola: Ze Maria gaboi, Halili të afrojë Nurin për Tiranën e madhe

Sipas Agustin Kolës, Superiores iu kthye lezeti. Nuk kishte dyshime për ngjitjen, por mendon se tashmë ka ardhur koha që të kthehet Tirana e madhe. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i kryeqytetasve dhe i Kombëtares, tregon se “çelësin” e ka vetë Refik Halili në dorë, ndërsa i kujton që tashmë duhet të afrojë sponsorë dhe ndër të tjera përmend emrin e Lutfi Nurit. Ish-trajneri foli për situatën e krijuar së fundmi në kampin kryeqytetas, duke filluar nga UEFA apo Muzaka, por më gjatë u ndal te Ze Maria, të cilin e quajti si joprofesionist.

Agustin Kola

Tirana kthehet në elitë pas një viti mungesë, ndiheni i çliruar?

Jam më shumë se i lumtur. Ku ka lezet futbolli pa Tiranë, Partizan e Dinamo?! Ju e shihni vetë që nuk ka kuptim kampionati. Sado “armiq” të jemi në fushë, pasi jashtë fushe jemi miq, asnjëra nuk bën dot pa tjetrën. Kam takuar “lab”, shkodran, madje edhe të Partizanit më kanë uruar me shpirt. Më kanë thënë “Ke të drejtë Agustin Kola, se pa Tiranë nuk shihet Superiorja”. Kujtoni kur ishte Partizani në të Parën dhe luajti në Kupë me Tiranën? E mbani mend si u mbush stadiumi? Që kur ra Juve në “B”, futbolli italian nuk ngriti kokë. E njëjta gjë vlen edhe këtu, nuk luhet pa Tiranë, Partizan, Dinamo, Kavajë, Berat, Shkodër, pra klube që kanë bërë histori. Një herë në 70 vite do e marrë kampionatin Napoli.

Vetëm 1 humbje dhe 3 barazime në 23 ndeshje, çfarë note i vendosni ekipit?

Tirana do ngjitej dhe unë këtë e kam thënë që në krye të herës. Mua më vjen keq vetëm që me këtë buxhet iu desh të luante në Kategorinë e Parë. Megjithatë vetë ranë, vetë e çuan, ndaj për këtë bravo ju qoftë. Të paktën nuk qëndruan gjatë. Nuk i ndihmoi askush, por ia dolën vetë.

Si e prisni Superioren, mendoni se mund të luftojnë për titull?

Tirana do dilte dhe doli, por problemi është çfarë do të bëjmë sezonin tjetër?!

Çfarë mendoni ju që duhet bërë?

Ehhh, çfarë mendoj unë… mendoj që presidenti duhet të afrojë njerëz. Unë e kam thënë dhe do e them që Halili është një njeri i pastër dhe nuk merret me shitje e blerje. Nuk ka bërë pisllëqe kurrë dhe ka harxhuar paratë e fëmijëve të vetë. Por, nuk duhet të jetë më i vetëm. Ai e ka në dorë këtë, pasi njerëzit që e duan këtë fanellë ai i njeh dhe i ka afër, siç është Luti (i referohet Lutfi Nurit). Pra duhen sponsorë, këtë dua të them.

Ju thoni që me “bashkimin” mund të kthehet edhe Tirana e madhe?

Jo e madhe, po super e madhe. Më e madhe edhe se Skënderbeu që ka dominuar këto 7 vite. Çelësi magjik, është Ridi vetë. Me të ekipi ra, ai e ngjiti dhe po të dojë e bën Tiranën super.

Agustin-Kola

E keni ndjekur çështjen e fundit të krijuar prej Ze Marias?

Ka bërë shumë gabim që ka ikur ashtu. Edhe unë jam larguar nga Tirana, me probleme a pa probleme, çfarë rëndësie ka, por ashtu nuk veprohet. Por, kështu nuk ka treguar profesionalizëm, nuk i takonte që të ikte në atë formë.

Mendoni që duhet të rinovojë?

Problemi është që ai iku. Sipas meje duhet të qëndronte aty dhe t’i gëzohej ngjitjes me ekipin. Kjo është e keqja, se sa e duam ne Tiranën nuk e do kush. Shiko akademinë, ke nga Korça e nga Tepelena. Nuk dua të paragjykoj dhe ofendoj askënd, më besoni. Por dua vetëm t’u kujtoj se Kolës dhe të tjerëve, na e injektoi gjakun bardheblu Skënder Halili, Fatmir Frashëri e Ali Mema.

Si e vlerësoni punën e bërë prej trajnerit?

Ai punë ka bërë dhe nuk e diskutojmë, por me këtë gjest që ka bërë duket sikur sheh më shumë lekët sesa ekipin. Ndoshta të drejtë edhe ka, pasi derisa e ngjiti Tiranën në Superiore, i takojnë me pas “pluse”. Por, më shumë nuk flas dot, pasi ata e kanë folur me njëri-tjetri dhe kontratën po ashtu e kanë firmosur mes tyre. Mua nuk më pëlqeu vetëm veprimi që bëri atë ditë, por meritat nuk ia heq.

Me këtë grup Tirana e përballon elitën apo i duhet të bëjë merkato?

Ka nevojë patjetër. Ai grup do ndërhyrje, të paktën 4 lojtarë. Ata e arritën qëllimin dhe e ngjitën ekipin shumë bukur. Por duhet edhe stol, paç- ka se mund të kesh 11 të mirë. Duhen bërë llogaritë edhe me dënimet apo kartonët, pasi veç kampionatit ka edhe Kupë. Vetëm kështu mund të pretendosh dhe të luftosh pa frikë.

agustin kola

Në momentin që Tirana gjen qetësinë, dalin problemet jo Ze Maria, jo UEFA e borxhet. Pse ndodh kjo?

Ky është problem i yni, pasi kur mundohesh të zgjidhësh gjëra të vjetra krijon të reja.

Mendoni se do të merret fondi prej 2014-ës, meqenëse klubi e ka çuar çështjen në KAS?

UEFA nuk të fal. Por janë probleme që mund të zgjidhen. Tiranës mund t’i takojnë, por të shohim po i fituan.

Klubi ka një afat edhe për të paguar borxhin ndaj Muzakës, mendoni se mund të rrezikohet?

Do e mbyllin besoj.

Çështja më e fundit mban emrin “Tomori”, klubi beratas ka bërë zyrtarisht shkresë në FSHF dhe kërkon titullin e vitit 2000. Si ka qenë historia e atij trofeu?

Unë kam qenë me El Sajedin, më mori drejtor teknik më duket. Po mend mirë nuk është se e mbaj. Nuk jam marrë shumë atë kohë. Tomori le të dalë njëherë në Superiore dhe më pas ta kërkojë titullin, do ta ndihmoj edhe unë atëherë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"