Agresionet e tifozëve, lojtarët e Napolit largojnë gratë nga shtëpitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 10:07

Agresionet e tifozëve, lojtarët e Napolit largojnë gratë nga shtëpitë

Pauza e përfaqësueseve, e cila ka parë 13 futbollistë të Napolit që të largohen në kombëtaret respektive do të sjellë disa ditë qetësie në “Castel Volturno” (qendra stërvitore e Napolit), ndonëse situata në këtë klub nuk është qetësuar kurrsesi.

napoli

 

 

Kaosi post-Salzburg, rezultatet zhgënjyese në kampionat dhe gjithçka i ndodhi Alanit e Zielniskit kanë pasur pasoja jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj, në përditshmërinë e futbollistëve, aq sa tashmë edhe policia dhe prokuroria është vënë në punë për të kuptuar nëse sulmet e pësuara nga dy futbollistët e mësipërm kanë pasur lidhje me çështje sportive.

Në radhët e lojtarëve të Napolit ka nisur të ketë shumë frikë, madje ka nga ata si Kulibali që ka punësuar edhe truproja private, që do t’i qëndrojnë pranë atij dhe familjes së tij, 24 orë në 24. Ndërkohë, në rastin e Alanit, mesfushori brazilian ka vendosur të largojë nga qyteti bashkëshorten dhe fëmijën, pas sulmit të pësuar në shtëpi. Të njëjtën gjë ka bërë edhe polaku Zielinski, i cili ka parë makinën e tij të shkatërruar, ndonëse masa të tilla kanë vendosur që të marrin edhe futbollistë të tjerë si Milik, Kajehon etj.

napoli

I gjithë ky tension, të paktën siç ka nisur të përflitet në median vendëse, ka të bëjë me tifozë të irrituar, por fakti se shumë prej ultrasve të Napolit janë të lidhur ngushtë me grupe kriminale në qytet, ka shtyrë lojtarët që të marrin masa drastike, të paktën derisa situata të qetësohet. Fundja, kjo nuk është hera e parë që te Napoli përjetohen të tilla gjëra, duke qenë se edhe më parë, lojtarë si Kavani, Laveci, Hamshik apo edhe Behrami, të cilët dukeshin të paprekshëm, në disa raste kur skuadra po çalonte në fushë nuk u kursyen nga tifozë të irrituar, madje u grabitën dhe u terrorizuan në rrugë dhe në banesat e tyre.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"