Agostineli: Skënderbeu nuk më tremb, firmos vetëm për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2016 | 12:00

Agostineli: Skënderbeu nuk më tremb, firmos vetëm për fitore

Trajneri Andrea Agostineli është i bindur se tani e njeh më mirë Partizanin që drejton dhe për këtë arsye ekipi ka bërë paraqitje pozitive në dy javët e fundit.Agostineli (1) Italiani, pas seancës së djeshme në një intervistë për “Panorama Sport”, pohoi se e njeh mirë Skënderbeun dhe të kuqtë do të bëjnë të pamundurën që të ngushtojnë diferencën me kreun.

Agostineli nuk e shikon si vendimtare për titullin, por synim mbetet fitorja dhe nuk i druhet fare kundërshtarit. Duke qenë se skuadra po bën paraqitje të mira, 58- vjeçari nuk gjen arsye që të ndryshojë formacionin, ndërsa për Sukajn dhe Mazrekajn do të vendosë në fund.

Pas dy fitoreve 2-0, është radha të përballeni me kryesuesen. Si e shihni ndeshjen me Skënderbeun?

Sigurisht që është një ndeshje shumë e vështirë. Do të përballemi me “të parin e klasës”. Kam shumë respekt për këtë skuadër dhe shpresojmë që edhe ne t’ua bëjmë ndeshjen shumë të vështirë atyre.

Sa e njihni kundërshtarin?

E njoh mirë. E kam parë në disa ndeshje dhe mendoj se e njoh mirë për atë që ka dhënë gjatë këtij sezoni. Nuk e njoh mënyrën e lojës së tyre gjatë sezoneve të kaluara, por i kam parë tani dhe duhet ta pranoj se kanë një potencial të madh.

Mendoni se në këtë ndeshje mund të ngushtoni diferencën me Skënderbeun duke ditur se jeni 4 pikë larg tyre?

Ne do ta kërkojmë patjetër diçka të tillë dhe është normale të ndodhë kështu. E përsëris që është një ndeshje shumë e ekuilibruar dhe nuk mund të parashikohet rezultati.

A është vendimtare kjo ndeshje për titullin kampion?

Nuk mendoj se është shumë vendimtare, duke u nisur nga fakti që kemi ende shumë ndeshje për të luajtur. Sigurisht që për ne është e rëndësishme, sepse nuk duhet të gabojmë asnjëherë, por shpresoj dhe besoj të mos jetë vendimtare.

Për cilin rezultat firmos Agostineli në këtë ndeshje?

Ne do të kërkojmë patjetër ta fitojmë këtë ndeshje, ashtu siç do të kërkojë ta fitojë edhe Skënderbeu. Mendoj se është një ndeshje e hapur për çdo rezultat.

Ka ndonjë aspekt që është në favor të Skënderbeut dhe ju i trembeni?

Skënderbeu ka lojtarë shumë të rëndësishëm dhe që e njohin mjaft mirë Kategorinë Superiore, por unë jam gjithashtu i kënaqur nga grupi i lojtarëve që kam, pasi janë në gjendje të bëjnë një ndeshje të madhe. Skënderbeun e respektoj, por nuk kam frikë prej tyre.

A është Partizani nën presion përpara kësaj ndeshjeje?

Është një presion që bën mirë. Lojtarët janë të karikuar ashtu si në derbi dhe është sfidë interesante. Futbollistët nuk kanë nevojë për t’u mobilizuar nga aspekti psikologjik.

Mund të themi se e keni gjetur formulën e duhur për Partizanin?

Kemi gjetur formacionin e duhur, sepse tani i njoh më mirë lojtarët dhe kjo është normale. Pastaj, kur një skuadër arrin rezultate pozitive, trajneri nuk ka arsye pse të bëjë ndryshime në formacion. Kam një grup shumë të madh lojtarësh, që mund të luajnë titullarë.

Sukaj dhe Mazrekaj pritet të jenë gati për të hënën?

Janë lojtarë shumë të rëndësishëm. Ata kanë disa probleme fizike dhe janë stërvitur veçmas grupit, por do të shohim në momentet e fundit se çfarë do të bëjmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"