Agostineli sjell në Korçë një qendërmbrojtës të Lacios
Italiani Simone Matia pritet të jetë qendërmbrojtësi i ri i Skënderbeut. Konfirmimi vjen nga Italia ku mediat pranë klubit të Lacios bëjnë të ditur se futbollisti 20-vjeçar do t’i bashkohet ekipit korçar në stërvitje në ditët e para të gushtit.
Portali “lalaziosiamonoi.it” bën të ditur se mbrojtësi i qendrës, i rritur në akademinë e Lacios dhe i cilësuar si një futbollist me shumë perspektivë, kishte zhvilluar negociata me Komon dhe ishte shumë pranë kalimit te kjo skuadër në Lega Pro. Por vendimi i gjykatës që ka shpallur falimentin e klubit u ka dhënë fund negociatave të tij me këtë klub, i cili do të përfundojë tek amatorët.
Për këtë arsye, Matia është kthyer përsëri në treg dhe sipas të gjitha gjasave do t’i bashkohet Skënderbeut, i cili drejtohet nga Andrea Agostineli që e njeh shumë mirë dhe kishte disa javë që e kërkonte me ngulm futbollistin. Portali italian shpjegon se marrëveshja është shumë pranë konkretizimit, aq sa është vendosur që Matia të udhëtojë më 30 korrik drejt Shqipërisë.
Ai do të takohet me drejtuesit e klubit dhe do të njohë shokët e mundshëm të skuadrës para se të vendosë nëse do të firmosë për Skënderbeun apo jo. Formula është ajo e huazimit, pasi djaloshi ka një kontratë me Lacion deri në verën e vitit 2017. Pritet që ai të zgjatë marrëveshjen ekzistuese me klubin italian para se të hedhë firmën e tij në kontratën e huazimit te Skënderbeu.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"