Agostineli: Morëm një fitore të madhe në Kukës, nuk duhet të gabojmë më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2016 | 10:02

Agostineli: Morëm një fitore të madhe në Kukës, nuk duhet të gabojmë më

Trajneri Andrea Agostineli ka mbetur i kënaqur nga fitorja e Partizanit në Kukës, sukses i cili erdhi në minutën e 93-të falë golit të Xhevahir Sukajt. Ndonëse për disa orë të kuqtë gëzuan të qenit në vend të parë, trajneri italian e konsideroi thjesht iluzion. agostineli“Vërtet kemi marrë një fitore të madhe në Kukës. Më vjen mirë që jemi në vend të parë edhe pse për disa orë, sepse Skënderbeu duhet të luajë dhe të mos krijojmë iluzione të mëdha. Duhet t’i gëzohemi kësaj fitoreje”, u shpreh fillimisht Agostineli për “Supersport” pas ndeshjes.

Pyetjes a është një sinjal titulli ajo që arritën në Kukës, Agostineli iu përgjigj: “Nuk di nëse janë sinjale. Di që e kemi merituar atë që kemi marrë për atë që kemi bërë sot. E dominuam ndeshjen dhe nuk jemi ndaluar për asnjë moment. Kemi luajtur mirë si në fillim të ndeshjes, por edhe kur ishim me një lojtar më pak”.

Tifoz i Tiranës

Trajneri i të kuqve është pyetur se a mund të ishte tifoz i Tiranës për 90 minuta, duke ditur se luanin ndaj Skënderbeut. “Është shumë e rrezikshme ta them këtë, të them të vërtetën. Mund të më falin tifozët e mi që ishin të mrekullueshëm sot (dje), që erdhën në këtë ndeshje dhe aq më tepër që është e hënë. Pa dashur të bëhem hipokrit, po jam i tillë për 90 minuta”, vijoi trajneri i të kuqve.

Shanset për kampion

“Me përqindje nuk mund ta them, pasi Skënderbeu akoma nuk ka luajtur. Kjo është një fitore që nëse nuk bëjmë gabime të mëdha, çështjen e titullit kampion do ta diskutojmë në 2 takimet e fundit. Nuk duhet të bëjmë gabime. Jemi në rrugë të drejtë, të arrijmë Skënderbeun dhe të fitojmë kampionatin”, tha 59-vjeçari.

Fati

Agostineli është ankuar shpesh që fati nuk ka qenë me të tijtë, pasi janë ndëshkuar në disa raste, por në Kukës gjithçka u ka buzëqeshur të kuqve.

“Mendoj se të fitosh në minutën e 93-të përfshihet fati për të gjitha skuadrat. Kur fiton në topin e fundit, ti mund ta shohësh si të duash, por ka të bëjë edhe fati. Megjithatë, ne e kërkuam fatin për atë që dhamë në fushën e lojës. E rëndësishme është se si skuadra e ka fituar këtë sfidë përballë një Kukësi që ka një ekip mjaft të mirë. Të mos harrojmë se luajtëm me 1 lojtar më pak për 45 minuta”, përfundon trajneri Andrea Agostineli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"