Agostineli: Fitore e merituar, e dominuam plotësisht lojën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2016 | 22:06

Agostineli: Fitore e merituar, e dominuam plotësisht lojën

Për trajnerin e Skënderbeut, Andrea Agostineli, fitorja 2-1 kundër Flamurtarit është më se e merituar nisur nga çka u pa në fushën e lojës.

Skenderbeu-Flamurtari

Sipas italianit të stolit korçar, skuadra e tij e dominoi kundërshtarin dhe krijoi shumë më tepër raste për shënim, ndaj rezultati është më se i drejtë.

“Si fillim dua të theksoj se Flamurtari është një ekip i fortë dhe sot ishte një ndeshje e vështirë për ne. Patëm disa raste për gol dhe humbëm edhe një penallti, kurse Flamurtari me një rast arriti të gjente golin”, tha 59-vjeçari për mikrofonin e “SuperSport”-it.

Edhe pse për një çast pati frikë se nuk fitorja nuk do të vinte, trajneri italian beson se me rastet që krijoi skuadra e tij, fitorja ishte logjike. “Ishte një moment në pjesën e dytë kur patëm frikë se mos ndëshkoheshim. Megjithatë skuadra reagoi mirë dhe e merituam fitoren duke dominuar lojën. Krijuam shtatë raste për gol kundrejt vetëm një nga kundërshtari”, theksoi Agostineli.

Tekniku nga Ankona u ndal edhe te forma e disa prej lojtarëve bardhekuq, veçanërisht te Liridon Latifi dhe Masato Fukui: “Të dy këta lojtarë vetëm se mund të përmirësohen. Latifi ka qenë i angazhuar me kombëtaren dhe nuk e kemi pasur gjithnjë në dispozicion në stërvitje. Kurse Fukui ishte ndër lojtarët më në formë deri para dhjetë ditësh, por një dëmtim e la rreth një javë pas në përgatitje. Megjithatë, me atë që dha sot, jam shumë i kënaqur”.

Lidhur me vendimin për të larguar Sebino Plakun, ish-tekniku i Partizanit shpjegoi: “Fillimisht dua të theksoj se Plaku është një djalë i shkëlqyer dhe një profesionist i madh, ndër më të mirët që kam njohur. Ne vendosëm të bëjmë një ndryshim duke marrë një lojtar të ri si Ardit Hoxhaj, por jam i sigurt se Plaku mund të bëjë shumë më mirë në një ekip tjetër”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"