Agolli: Tifozët na dhanë një goditje të madhe, arbitri mund të pezullonte ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2017 | 20:57

Agolli: Tifozët na dhanë një goditje të madhe, arbitri mund të pezullonte ndeshjen

Ndeshja e djeshme, përveç rezultatit negativ që prodhoi në fund, pati edhe një incident krejtësisht të pakëndshëm për shqiptarët. Ndërprerja e ndeshjes për shkak të flakadanëve të hedhur në fushë dhe trazirave të shkaktuara nga tifozët, bëri që në disa momente të rishfaqej në memorien e futbollistëve edhe situata në Beograd.

itali shqiperi

Trazira të cilat mund të bënin që takimi të mos riniste më kurrë. Në lidhje me këtë episod, kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, shpjegon ekskluzivisht për “Panorama Sport” ndjesinë e tij personale.

INCIDENTI

Në lidhje me sjelljen e tifozëve në atë sektor dhe atë që ndodhi, mbrojtësi kuqezi tregon edhe ndjesinë e tij të parë në atë çast. “Gjëja e parë që mendova në ato momente ishte shqetësimi se mos ndoshta na penalizonte. Vetëm kaq”, tregon Agolli.

ARBITRI

Shiriti dhe përgjegjësia që ka në fushë, e bënë që të përballet edhe me situata të tilla aspak të dëshiruara e krejtësisht të pakëndshme. Kapiteni i Kombëtares rrëfen edhe bisedën me arbitrin në atë moment dhe njëherazi rrezikun që i kanosej skuadrës nga ai veprim i izoluar i një pjese të tifozëve.

“Situata ishte delikate. Në këto raste duhet shumë kujdes kur komunikon me arbitrin, sepse mund të ketë pasoja për ekipin. Arbitri më tha se flakadanët duhej të ndalonin, pasi në të kundërt, nëse do të vazhdonte e njëjta gjendje, ndeshja rrezikonte të ndërpritej”, ka deklaruar lideri i kuqezinjve.

Agolli u flet tifozeve

NDJESIA

Një skuadër që ka dhënë shembull në Europian, jo vetëm për paraqitjen në fush- ën e lojës, por edhe për atë të spektatorëve mbështetës në shkallët e stadiumit, rrezikon njollosjen e menjëhershme nga një veprim edhe i vogël. Megjithatë, ajo që ndodhi në shkallët e “Rendo Barbera”-s nuk ka asnjë lidhje me mesazhin dhe imazhin që duhej të kishin ruajtur shqiptarët në sytë e botës.

Ky është edhe mendimi i Ansi Agollit, që vijon rrëfimin me ndjesinë e atyre momenteve kur iu desh edhe të merrte mikrofonin për t’i qetësuar shkaktarët e incidentit. “U ndjeva keq që u krijua ajo situatë. Nuk e kisha menduar kurrë, e në fakt asnjë nga shokët e ekipit nuk e mendonte se pas kualifikimit historik në Europian e paraqitjes dinjitoze atje, do të na vinte një goditje për imazhin në arenën ndërkombëtare. Mendoj se duhej të jepnim një tjetër mesazh për botën”, përfundon Agolli.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"