Agolli për shortin: Shans i mirë për të kapur Europianin, grup i hapur deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2018 | 22:04

Agolli për shortin: Shans i mirë për të kapur Europianin, grup i hapur deri në fund

Për kapitenin e Kombëtares shqiptare të futbollit nuk ka vend për eufori. Ansi Agolli, në një prononcim për “Panorama Sport” pas hedhjes së shortit për Ligën e Kombeve, ka deklaruar se është një shans më shumë për Shqipërinë dhe se ekzistojnë mundësitë për të tentuar fitimin ne grupit.

ansi agolli

Nis një kompeticion i ri, një shans më shumë për Europianin…

Mundësi mjaft e mirë me Ligën e Kombeve që skuadra të arrijë direkt objektivin për pjesëmarrjen në kampionatin europian.

A shtohen shanset për të shkuar në Europian me një kompeticion më tepër?

Sipas meje, është akoma herët për të kaluar në euforizma. Ndeshjet duhen marrë një nga një dhe fillimisht duhet parë forma e skuadrës kur të jetë momenti për t’u zhvilluar ndeshjet.

Një koment për shortin, si i shihni dy ekipet rivale?

Kemi në grup një skuadër si Skocia, ekip që bën lojë mjaft fizike dhe Izraelin, të cilin e njohim, duke qenë se u përballëm edhe në kualifikueset e fundit. Mendoj se do të jetë një grup i hapur dhe shpresoj që, pse jo, të arrihet edhe kreu i grupit, që është një objektiv mjaft i rëndësishëm për skuadrën kombëtare.

agolli

Kosova kundër Azerbajxhanit, ekipi i shokëve të skuadrës suaj, por edhe me trajner atë që drejton aktualisht Karabakun. Çfarë ju tha trajneri pas shortit?

Nuk kam pasur kontakt ende me të sepse ai ka qenë në Zvicër për shortin dhe nuk kemi komunikuar. Nga sa shoh lojtarët e skuadrës, Karabaku, janë të kënaqur për shortin që u ka rënë, pasi prisnin një grup akoma më të fortë. Sipas meje, është një grup i ekuilibruar, me skuadra që nuk kanë diferenca shumë të mëdha. Sipas meje, gjithçka do të jetë e hapur në këtë grup.

Si është kombëtarja e Azerbajxhanit?

Ekipin azer e njoh mjaft mirë sepse shumica e lojtarëve të Kombëtares janë pjesë e Karabakut, ku unë jam prej vitesh dhe i di pak a shumë cilësitë e tyre. E përsëris, do të jetë grup i hapur, ku mund të ndodhë gjithçka.

Kosova apo Azerbajxhani, kë mendoni favorite për kreun e grupit?

Këtë nuk mund ta them, sepse duhet parë gjendja e skuadrave në momentin që do të luajnë, sepse ka disa muaj që të startojnë ndeshjet. Kam rreth tetë vite në Azerbajxhan dhe i njoh mirë, kanë cilësi e janë skuadër në rritje. Megjithatë, edhe Kosova është mjaft e mirë me lojtarë shumë cilësorë që luajnë në liga të mira europiane. Është pak e vështirë për të bërë parashikime në këto momente që po flasim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"