Agolli: Nuk kemi asgjë për të qarë, arbitrit i kërkova falje për kartonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2016 | 23:54

Agolli: Nuk kemi asgjë për të qarë, arbitrit i kërkova falje për kartonin

Ansi Agolli thotë se Kombëtarja nuk ka pse kërkon gabime pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës sot në “Loro Boriçi”. Sipas kapitenit kuqezi, tani ekipi duhet të hedhë shikimin te dueli i 12 nëntorit kundër Izraelit.

“Spanja është kundërshtar i një niveli shumë të lartë, e ka treguar përpara dhe e tregoi edhe sot. Rezultati tregon atë që u pa në fushë, prandaj nuk kemi asgjë për të qarë dhe nuk kemi pse kërkojmë gabime. Edhe Italia kundër Spanjës sulmin e parë e bëri në minutën e 43-të. Tani duhet të përqendrohemi tek Izraeli, nuk kemi kohë për të humbur pasi dita vjen shpejt”, deklaroi mbrojtësi për TVSH-në.

Agolli

Për kartonin e verdhë

“Janë gjëra që ndodhin në një ndeshje futbolli. Ishin disa minuta që gjendeshim në vështirësi nga presioni i Spanjës. Ishin 2-3 faulle të padhënë për ne, ndaj u nervozova me arbitrin. E pranoj që e teprova me protestat dhe kartonin mund ta kisha shmangur. Në pushimin e ndeshjes i kërkova falje gjyqtarit”.

Agolli karton

Për Alijin

“Është një lojtar i rëndësishëm për ne, edhe pse së fundi nuk ka luajtur shumë. Mendoj se sot bëri një ndeshje pozitive. Nëse mund të luante ai prapa dhe të dilja unë, këto gjëra më së miri i di trajneri”.

Për Berishën

“Nuk mund të luash në aventurë kundër Spanjës, ndaj kishim marrë detyrë të prisnim. Por dikush duhet të gabojë që të shënohet goli, dhe për mendimin tim sot gaboi lojtari më i mirë për skuadrën tonë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"