Afron Botërori, futbollistët më të mirë në planet rrëmbejnë skenën/ Europa dhe Amerikat, kush është më i forti?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2022 | 23:34

Afron Botërori, futbollistët më të mirë në planet rrëmbejnë skenën/ Europa dhe Amerikat, kush është më i forti?

Janë të shumtë trajnerët që vrasin mendjen çdo ditë për të përcaktuar formacionin e tyre më të mirë me të cilin do të zbresin në fushë. Kjo vlen kur flasim për çdo klub të zakonshëm futbolli.

boterori-4

Imagjinoni sa e vështirë do të ishte përzgjedhja e formacionit ideal nëse në përbërje janë yjet e botës dhe me një mijë mundësi kombinimesh. Me siguri këtë problem të madh do ta kishte çdo trajner në Europë apo në Amerikë – këtu futen Amerika e Jugut dhe Amerika e Veriut – edhe pse në fund të fundit ata njëzëri do të thoshin: sa do të doja ta kisha këtë problem luksi!

Ata do të kishin në dispozicion futbollistët më të mirë në botë për të ndërtuar një skuadër që ofron suksese dhe vetëm suksese. “Radio Marca” në Spanjë në programin e saj “A Diario” ka përpiluar njëmbëdhjetë më të mirët nga çdo kontinent.

EUROPA – Formacioni me yjet europianë do të luante me skemën 4-2-3-1, pasi vetëm kështu do të ekzistonte mundësia që të gjithë yjet e mëdhenj të ishin në fushë. Porta do t’i besohej numrit një të Realit, Tibo Kurtua. Aleksandër-Arnold me 16 asiste në sezon do të ishte në të majtë, teksa në të djathë do të ishte Teo Hernandez, lojtar kyç në suksesin e Milanit në Serinë A.

EUROPA

Në qendër shtylla e Liverpulit, Van Dajk dhe ai i Sitit, Ruben Diaz. Rodri dhe Modriç do të kenë çelësat e mesfushës, teksa në sulm kapiteni i Realit, Karim Benzema do të mbështetej nga De Bryjne, Bernardo Silva dhe Kilië Mbape. Sipas “Transfermarkt”, vlera e formacionit europian arrin në 770 milionë euro.

AMERIKA NUK MBETET PAS – Amerika me yjet e saj nuk mbetet pas Europës. Alison në portë, Nahuel Molina do të vepronte si mbrojtës i djathtë, Alfonso Devis në të majtë dhe Militao e Markinjos në vijën qendër të mbrojtjes, do të formonin një katërshe për t’u pasur zili. Mesfusha me tre do të përbëhej nga Fabinjo, Kasemiro dhe Valverde.

AMERIKA

Ndërsa në sulm Vinicius dhe Mesi do të luanin në krahë me Darvin Nunjez. Në ekipin e Amerikës do të përfaqësohen katër nga pesë kampionatet më të forta në Europë. Në ndryshim nga kombëtarja europiane, që ka një moshë mesatare 28 vjeç, ajo e Amerikës është më e re, 26 vjeç. Ndërkohë që vlera e tregut e saj sipas “Transfermarkt” është 620 milionë euro, 150 milionë euro më pak se ajo europiane.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"