Afrimet dhe largimet, drejtori i Egnatias tregon gjithçka: Plani ynë për talentet dhe roli i Tetovës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2023 | 19:57

Afrimet dhe largimet, drejtori i Egnatias tregon gjithçka: Plani ynë për talentet dhe roli i Tetovës

Nga marsi i vitit 2022, pra më pak se një vit, Klejdi Zenelaj, është emëruar drejtor i përgjithshëm i KF Egnatias, ndërsa prej më shumë se katër vitesh ka qenë edhe te KF Besa në Kavajë. Pyetjeve të bëra dje në mesditë nga “Panorama Sport” drejtori Zenelaj u ka dhënë këto përgjigje…

Klajdi Zenelaj

Viti 2023 ka nisur me shumë zhvillime tek Egnatia. Çfarë po ndodh aktualisht?
Egnatia ka rinisur punën me të njëjtin seriozitet dhe përkushtim për arritjen e objektivave të vendosur nga presidenti Demrozi. Gjatë kësaj periudhe kemi zhvilluar mbledhjet dhe kemi bërë analizat për të gjithë pjesën e parë të sezonit duke evidentuar pikat që duhet të përmirësohen për pjesën deri në fund të tij. Egnatia është në proces konsolidimi në çdo kontekst të kësaj fjale.

Nëse ktheni pak kokën prapa, cilat janë gjërat e veçanta e të rëndësishme që la pas viti 2022?
Për vitin 2022 kryesore për Egnatian ishte mbijetesa në Kategorinë Superiore, gjë që na mundësoi nisjen e një projekti të ri dhe me shumë synime madhore. Patjetër renditja në fund të vitit në vendin e 3-të, për herë të parë në historinë e Egnatias, është një kënaqësi e veçantë, por edhe një pikënisje për pjesën e mbetur të këtij sezoni ku na pret një punë shumë e madhe.

Këtë fundjavë ristarton kampionati dhe Egnatia pret në fushën e saj Erzenin. Si po përgatitet kjo sfidë?
Ndeshja me Erzenin është shumë e rëndësishme dhe e vështirë, sepse vjen pas një pauze tjetër dhe pushimet gjithmonë janë një problem për ekipin. Gjithsesi, skuadra e stafi po punojnë maksimalisht për këtë ndeshje dhe me mbështetjen e tifozëve kemi besim se do ta kalojmë dhe do të vazhdojmë rezultatet tona pozitive.

EGNATIA

Lëvizje ka pasur edhe në staf. Shtubina është larguar nga pozicioni i drejtorit. A mund të mësojmë tashmë zyrtarisht se kush është pasuesi i tij?
Po, ka pasur lëvizje edhe në staf. Klubi ka si qëllim rritjen dhe zhvillimin jo vetëm në periudhën afatshkurtër, por sa më afatgjatë. Në verën e kaluar kemi nisur një projekt për përzgjedhjen e emrave të skuadrës së parë. Me fokus fillestar ndërtimin e një ekipi me djem të rinj që do të jenë një garanci teknike për vitet e ardhshme. Por edhe për një mundësi përfitimi financiar nga shitja e talenteve. Pjesë e projektit ishin Ndriçim Shtubina si ish-drejtor dhe Edlir Tetova si ish-trajner. Si pasojë e angazhimit të Shtubinës në kursin e trajnerëve të UEFA A, gjatë pjesës së mbetur të sezonit, kemi menduar që Shtubina të marrë rolin e trajnerit të ekipit U-21 dhe të afrojmë në stafin drejtues Tetovën, sepse e njeh ekipin dhe ka qenë pjesë e ndërtimit të projektit. Tetova do të ketë një rol më shumë teknik në përzgjedhjen e lojtarëve të ekipit të parë, por edhe në hartimin e planit të punës së Akademisë Egnatia. Me objektivin për të ndërtuar një akademi të nivelit të lartë (që është objektivi i dytë i projektit tonë si klub).

Tema më e nxehtë tani është merkatoja. Egnatia çfarë synimesh ka konkretisht në lidhje me afrimet e largimet e lojtarëve?
Për sa i takon merkatos, klubi ka shumë besim te lojtarët aktualë dhe performanca e tyre. Gjithsesi, në bashkëpunim me trajnerin do të mundohemi ta përforcojmë ekipin aty ku mendohet se është nevoja. Siç e dini kemi zyrtarizuar një sulmues (Rafaele Duamena) dhe jemi në pritje të dy lojtarëve me të cilët do të mbyllim merkaton. Në dalje do të kemi kufizime me më pak lëvizje. Jemi në pritje të ofertave për lojtarët që kanë shkëlqyer.

Një mesazh për tifozët. Gjatë 15 javëve të luajtura Egnatia është ndëshkuar me tri gjoba financiare edhe prej sjelljes së tyre. Cili është apeli juaj për këtë çështje?
Tifozët janë oksigjeni për çdo klub dhe ne kështu i konsiderojmë. Përtej gjobave për incidente të vogla, ata mbeten korrektë dhe fusha e Egnatias tashmë është kënaqësi për të gjitha ekipet, jo vetëm për ne si vendës, por edhe lojtarët e tifozëritë mysafire.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"