Afrim në momentet e fundit, klubi i Kategorisë së Parë firmos edhe me mbrojtësin lezhjan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 17:39

Afrim në momentet e fundit, klubi i Kategorisë së Parë firmos edhe me mbrojtësin lezhjan

Burreli ka bërë një lëvizje tjetër në merkato në momentet e fundit. Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit kanë menduar të “blindojnë” mbrojtjen, duke i dhënë rëndësi të veçantë këtij reparti. Ka firmosur dje kontratën me administratorin e klubit, Bajram Ballabani, mbrojtësi lezhjan Sadush Danaj, i cili ka qenë edhe më parë pjesë e ekipit të Burrelit.

Danaj Burreli

Trajneri Samuel Nikaj gjykon se mbrojtja ka një rol kyç në skuadër, ndaj dhe ka këmbëngulur për forcimin e këtij reparti. Nuk dihet nëse do të ketë lëvizje të tjera deri në fillim të kampionatit, por nuk është çudi të ketë sërish surpriza. “Kemi zhvilluar një merkato të shpejtë, në fillim ku plotësuam mesfushën dhe sulmin.

Ishte e nevojshme të bënim lëvizje edhe në repartin e mbrojtjes, pavarësisht elementëve shumë të mirë që kishim nga ekipi i sezonit të kaluar. Në bashkëpunim me stafin drejtues të klubit, po punojmë fort për të ndërtuar një skuadër dinjitoze që jo vetëm t’i bëjë ballë garës së fortë në Kategorinë e Parë, por pse jo të jemi një ndër pretendentët kryesorë për ngjitjen në Superiore. Ne do të kemi testime të herëpashershme qoftë me ndeshje kontrolli e qoftë me miqësore. Kjo do të na ndihmojë të perfeksionojmë lojën në grup, çka është shumë e rëndësishme në futboll”, tha për “Panorama Sport” trajneri i matjanëve, Nikaj.

DRITAN KURTI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"