Afat për borxhin, Idrizi: S’jam treguar korrekt me Lubanin, nga Flamurtari marrin lekë që s’i kanë parë me sy

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2021 | 16:11

Afat për borxhin, Idrizi: S’jam treguar korrekt me Lubanin, nga Flamurtari marrin lekë që s’i kanë parë me sy

Flamurtari humbi sërish, por Sinan Idrizi kërkon të mos e bëjë dramë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, administratori nuk do që t’i demoralizojë të rinjtë. “Nuk duhet t’i gjykojmë këta djem nga humbjet që kanë pësuar. Janë të rinj. Kanë bërë ndeshje të mira, por u ka munguar përvoja. Tani të mos i shkrijmë këta futbollistë, se nuk shkon. Kur nuk kishte vlonjatë në ekip, të gjithë thoshin se nuk ka vlonjatë, tani që ka… Nuk ka nevojë për panik. Këta lojtarë kanë nevojë për pak besim dhe asgjë më tepër. Nuk kemi çfarë të themi pasi ata kanë luajtur. Kemi qenë superiorë me Tomorin derisa pësuam. Po ashtu edhe me Egnatian kanë luajtur shumë mirë dhe si të barabartë, pavarësisht se fati nuk ka qenë me ne. Unë kam besim te këta djem dhe nuk jam që t’u presim këmbët. Është fatkeqësi fakti që të gjitha ekipet e Vlorës në futboll janë në fund. Është një gjë që nuk shkon. Nuk na mbetet tjetër veçse t’i lëmë që të luajnë këta djem dhe të kemi pak durim”, tha fillimisht Idrizi.

Sinan-Idrizi

BORXHET

Një tjetër ultimatum vjen nga FSHF-ja për Flamurtarin. Bëhet fjalë për borxhin ndaj ish–zv.trajnerit Ergi Lubani, që duhet të shlyhet brenda 30 ditëve. Administratori e njeh këtë detyrim, por nuk ngurron që të lëshojë një thumb. “Po, na ka ardhur një ultimatum për Ergi Lubanin. Nuk kam çfarë të them veçse klubi është treguar jo korrekt me të. Por, duhet që ta dini se nuk ka mbetur njeri pa u paguar nga ata që kanë punuar te Flamurtari. Kur marrin lekët nga Vlora, lekë që nuk i kanë parë kurrë në jetën e tyre dhe mbushin duart, nuk ndihen më. Madje, duan që të rikthehen sërish te ne. Lubani ka punuar te ne. I kërkojmë ndjesë për moskorrektësinë. Por, këta të gjithë kontratën më të madhe në jetën e tyre e kanë bërë në Vlorë. Sfidoj cilindo trajner që ka ardhur te Flamurtari të thotë të kundërtën dhe të pohojë që nuk është paguar. Nuk ka. Ne i njohim detyrimet tona. Do të paguhet kushdo që ka punuar këtu dhe ne i detyrohemi”, u shpreh administratori.

Idrizi-750x430

PRIVATIZIMI

Këshilli Bashkiak i Vlorës ka hapur një procedurë për privatizimin e Flamurtarit, që duhet të përfundojë brenda muajit korrik. Idrizi shprehet mosbesues ndaj këtij procesi të nisur. “Dua të deklaroj se kjo që këta po bëjnë e po flasin e kanë hapur, është hajde të bëjmë privatizimin. Shikoni kampionatin shqiptar. Presidentët e klubeve krekosen me lekët e bashkisë. Ne u bëjmë thirrje: Na e bëni procesin si duhet që të mos marrim më nga lekët e taksave të qytetarëve. Nëse jam krenar, jam pikërisht për atë që në këto vite që drejtoj Flamurtarin, nuk kam futur duart në xhepat e qytetarëve, por i kam kursyer taksat e tyre”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"