AF Elbasani nis stërvitjen me 25 lojtarë, kryebashkiaku kërkon elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2022 | 22:40

AF Elbasani nis stërvitjen me 25 lojtarë, kryebashkiaku kërkon elitën

Akademia e Futbollit Elbasani nis rrugëtimin në Kategorinë e Dytë. Verdheblutë kanë zbritur ditën e djeshme në “Shefqet Lamçja” për të nisur zyrtarisht përgatitjet në kuadër të sezonit të ri futbollistik.

AF ELBASANI 3

Të pranishëm në këtë seancë të parë, kanë qenë 25 lojtarë të konfirmuar dhe disa të rinj të ardhur për provë, të cilët do të shihen nga afër nga ana e stafit teknik me në krye Gentian Stojkun. Për të uruar dhe shprehur mbështetjen për skuadrën ka qenë i pranishëm edhe kryebashkiaku Gledian Llatja, ndërkohë që nuk munguan as tifozë, të cilët kanë premtuar suportin e tyre për skuadrën më të re në qytet. Deri më tani klubi ka bërë tetë përforcime në merkato, ndërkohë që kanë rinovuar një pjesë e mirë e organikës nga edicioni i fundit. Misioni do të jetë vetëm një: ngjitja në Kategorinë e Parë. Klubi ka programuar edhe një fazë përgatitore dyjavore në Pogradec, e cila do të nisë në fundin e këtij muaji.

asasasasasas

KRYEBASHKIAKU – Gledian Llatja shpreson që edhe këtë vit AF Elbasani të shpallet kampion në këtë kategori, duke vijuar me ritmin e sezonit të kaluar. Ai u siguroi për mbështetjen, ndërsa iu drejtua me këto fjalë: “Ju uroj suksese në këtë ditë të para të nisjes së përgatitjeve. Nuk ka qenë e lehtë të thyesh një mentalitet, sidomos kur e nis nga ‘zeroja’, por kur bëhen të gjithë faktorët bashkë, çdo gjë arrihet. Arritja deri këtu është fryt i punës së vitit të kaluar, ndërsa këtë vit duam gjithashtu të dalim kampionë edhe në të Parën.

Angazhimi ka qenë maksimal, mbështetjen tonë e keni dhe nuk do t’ju mungojë për asnjë moment. Edhe afrimet e reja e kanë kompletuar më tej skuadrën dhe dua t’i falënderoj që iu bashkuan kësaj skuadre. Synimi i të gjithëve është ta kthejmë Elbasanin aty ku e ka vendin e vet. Të gjithë së bashku drejt titullit kampion”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"